Balili fshihet brenda territorit shqiptar, policia nuk e arreston

Kelmend Balili, i cilësuar nga mediat greke si “Eskobari i Ballkanit” fshihet brenda territorit shqiptar. Burimet zyrtare nga Prokuroria bënë të ditur se po punohet në rrugë operative dhe me metoda speciale për të gjurmuar vendstrehimin e Balilit, tashmë i shpallur në kërkim me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Dyshohet se ai fshihet brenda territorit shqiptar, pasi në sistemin TIMS rezulton se nuk ka kaluar kufirin.
Nga ana tjetër, nuk përjashtohet pista e hetimit të largimit të tij nga Shqipëria edhe në mënyrë ilegale apo dokumente të tjera të falsifikuara. Burimet thonë, se veç shpalljes në kërkim brenda territorit shqiptar dhe pikave të kalimit kufitar, Balili është shpallur edhe në kërkim ndërkombëtar. Por te faqja zyrtare dhe publike e INTERPOLIT, me emrin e Klemend Balilit ende nuk figuron ndonjë e dhënë siç ka ndodhur me rastet e personave të tjerë të shpallur në kërkim.
Burimet nga Prokuroria thonë se është i vështirë identifikimi i vendndodhjes së Balilit, pasi njerëzit pranë tij përdorin numra telefoni të paregjistruar në emrin e tyre apo pjesëtarëve të familjes, të cilat vazhdojnë të blihen në tregun e zi. Pavarësisht kësaj, burimet thonë se, me metoda speciale janë në vëzhgim thuajse të gjithë pjesëtarët e familjes së tij.
Ndërkohë, një burim operativ mësohet se i ka thënë grupit hetimor të çështjes, se njerëzit e Kelmend Balilit komunikojnë me këtë të fundit vetëm me letra dhe me anë të korrierëve, të cilët nuk janë pjesëtarë apo të afërm të familjes. Kjo është një tjetër pistë përmes së cilës po punohet për të identifikuar këto persona.
Komunikimi me letra, për hetuesit tregon se është më e mundshme pista që Balili nuk është larguar nga Shqipëria, por ndodhet brenda terroritorit. Për mos gjetjen dhe arrestimin e tij nga policia, kohët e fundit ka pas reagime edhe të ambasadorëve të huaj, ministrave të qeverisë si dhe angazhimi i kreut të Kuvendit Ilir Meta, i cili i ka kërkuar përmes një letre, Presidentit të Republikës të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Kërkesë, e cila është pranuar nga Presidenti, që  shumë shpejt do të njoftojë edhe datën e mbledhjes së anëtarëve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Kelmend Balili akuzohet nga autoritetet greke dhe shqiptare, si kreu i një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës në kuadër të organizatës kriminale, e cila dyshohet se funksionon prej vitesh.
Ndërkohë, gjatë kohës që kryente trafikun e drogës drejt Greqisë, Balili përdorte telefonin celular vetëm pas orës 23:00 të natës, për të komunikuar me bashkëpunëtorët e trafikut të drogës. Nga zbardhja e bisedave, duket qartë që Balili ka pasur komunikime me trafikantët gjatë periudhës 4 deri 7 maj të 2016, biseda që kryeshin vetëm pas orës 23:00 të natës. Thuajse të gjitha bisedat e bëra me bashkëpunëtorët e tij në Greqi, janë pas mesnate, sidomos për organizimin dhe nisjen e skafit të mbushur me rreth 679 kg hashash drejt Greqisë mesnatën e 6 majit 2016, thuhet në dosjen e Prokurorisë. Në bisedat me dy skafistët shqiptarë, Petro Dalanaj dhe Kleanthi Palaj tashmë të arrestuar në Greqi, Balili i instruktonte për rrugën që do të ndiqnin në det për t’u ankoruar në brigjet e Sarandës për t’u ngarkuar me hashash.
Sipas këtyre materialeve, bisedat mes tyre janë të shpeshta deri në mëngjesin e hershëm të datës 7 maj, ku skafistët dorëzojnë mallin te pala greke, ku prisnin 4 punonjësit e biznesmenit grek, Georgios Alyfantis. Një ditë më pas, ndërhyn policia duke arrestuar të gjithë grupin në Greqi dhe shpall në kërkim biznesmenin sarandiot Klemend Balili. Ky i fundit, sipas autoriteteve greke, që në momentin e arrestimit të bashkëpunëtorëve në Greqi, nuk i ka hapur aparatet celular dhe numrat me të cilët bisedonte me shtetasit grekë dhe skafistët e tij tashmë të arrestuar.

R.POLISI