Balaj: Shpresoj të luaj në Rusi 2018

Pas kualifikimit historik të kombëtares shqiptare në Kampionatin Europian, Bekim Balaj shpreson të luajë edhe në Botërorin 2018 që do të zhvillohet në Rusi. Në një prononcim për faqen zyrtare të Terek Groznit, sulmuesi kuqezi deklaroi se megjithë vështirësitë në kualifikuese, në rast të pjesëmarrjes në Kupën e Botës do të ndihej si në shtëpi dhe emocionet do të ishin tejet të veçanta.
“Shpresoj shumë që mua dhe Roshit të na jepet mundësia të luajmë në Kupën e Botës në Rusi me kombëtaren shqiptare, pavarësisht se prej ecurisë së fundit dhe pozitave në kualifikuese kjo duket e vështirë. Megjithatë, nëse do të arrijmë të kualifikohemi në Botërorin 2018, nuk ka asnjë dyshim që unë dhe Roshi do të ndihemi si në shtëpi. Kemi vizituar shumë qytete ruse dhe do të vizitojmë disa të tjera. Njerëzit na njohin dhe pjesëmarrja në turne do të ishte mjaft emocionuese”, u shpreh Balaj.
Në intervistën ku preku edhe temat e përgatitjeve intensive në Antalja, periudhën e paktë të pushimeve përpara startit të sezonit prej pjesëmarrjes në Euro 2016 dhe pushimet e dimrit që i kaloi në plazhet e Rio de Janeiros, Bekim Balaj foli edhe për paraqitjen e tij në gjysmën e parë të Premierligës ruse dhe pritshmëritë për pjesën e mbetur të sezonit.
“Prej momentit kur u transferova në Rusi e kisha të qartë se do të luaja në një ligë të nivelit më të lartë se në Kroaci. Kërkoja të testoja veten në Premierligë dhe dëshiroja të bëhesha pjesë e Terek Groznit. Fillimi nuk ishte i lehtë dhe m’u nevojit pak kohë për t’u përshtatur, por hap pas hapi arrita të shënoja gola dhe ta ndihmoja skuadrën. Jam i motivuar dhe punoj çdo ditë për të bërë hapa përpara, si në aspektin personal ashtu edhe si skuadër. Mungesa e golave në miqësore nuk më shqetëson, pasi e rëndësishme është të punojmë si skuadër, pavarësisht asaj që ndodh në nivelin individual. Unë do të vazhdoj në të njëjtën mënyrë edhe në pjesën e dytë të sezonit dhe do të përpiqem të shënoj sa më tepër”, përfundoi Balaj.