Bajerni fiton gjithçka

Robert Lewandowski ishte një prej futbollistëve, emri i të cilit u përmend shumë në merkaton e transferimeve të verës së vitit 2016. Polaku ishte vënë në shënjestrën e Realit të Madridit, por në fund ai vendosi të rinovojë kontratën me Bayern Munchen deri në vitin 2021. Në një intervistë për të përditshmen gjermane “Bild”, Lewandowski shpjegoi arsyet se përse ai preferoi të qëndrojë tek kampionët e Bundesliga-s. “Bayern Munchen është një prej klubeve më të mirë në botë”, tha Lewandowski. “Është në të njëjtin nivel me Realin e Madridit dhe Barcelonës. Largimi në drejtim të një prej këtyre skuadrave nuk do të përmirësonte shumë karrierën time, sepse unë mund të fitoj çdo trofe edhe këtu në Mynih”.
Robert Lewandowski u transferua te Bayern Munchen në sezonin 2014/2015 pas një periudhe shumë pozitive me Borussia Dortmund. Te bavarezët, polaku i përmirësoi ndjeshëm statistikat e tij me 89 gola në 125 ndeshje. Sezonin e kaluar në kampionatin gjerman ai shënoi 30 gola në 32 sfida.
Ndërkohë, mesfushori i Bajernit të Mynihut, Arturo Vidal në fund të sezonit do të largohet nga Gjermania. Është e përditshmja italiane “Corriere dello Sport”, e cila ka zbuluar marrëveshjen e fshehtë të kilianit me skuadrën e Chelseas. Së fundmi, Vidal është duke marrë leksione për të mësuar gjuhën angleze, një tjetër fakt që e bën akoma edhe më të besueshëm transferimin e tij në “Stamford Bridge”. Skuadra e Chelseas është treguar e gatshme të ofrojë plot 70 milionë euro për ‘yllin’ bavarez. Transferimi i Vidalit drejt Chelseas bëhet akoma edhe më i besueshëm për shkak të marrëdhënieve të shkëlqyera që ka me ish-trajnerin e Juventusit, Antonio Conten.
Probleme janë shfaqur edhe tek Dortmundi. Blerja e talentit suedez Isack duket se ka shërbyer si pika që mbushi gotën në klubin e Borussias së Dortmundit, ku prej kohësh përflitet për një situatë të tensionuar mes trajnerit Thomas Tuchel dhe drejtuesve më të lartë. Sipas asaj që raporton e përditshmja “Sport Bild”, drejtuesi i stolit nuk ishte vënë në dijeni të bisedimeve që klubi po zhvillonte me Stokholmin për afrimin e talentit dhe një gjë të tillë, ai e mësoi nga raportimi i mediave nordike. I pyetur pas ndeshjes në Bremen, Tuchel u shfaq dukshëm në vështirësi, por dha një përgjigje diplomatike, duke theksuar se këto janë çështje që i përkasin drejtorit sportiv, Michael Zorc.
Po sipas “Bild”, drejtori Zorc, por edhe administratori Hans-Joachim Watzke nuk e kanë përfshirë trajnerin aktual në çështjet e merkatos, duke marrë vendime të pavarura për afrimet, por edhe për largimet. Një situatë aspak komode për Tuchel, aq më tepër që kjo nuk ndodhte me paraardhësin e tij, Jurgen Klopp, i cili ishte plotësisht i përfshirë në politikat e merkatos. Ndërkohë, në një intervistë dhënë për “Kicker”, Watzke la të kuptohej se nuk është marrë ende një vendim për rinovimin e kontratës, pasi është vetë Tuchel, ai që ka bërë me dije se dëshiron të ulet në një tryezë vetëm në fund të këtij sezoni edhe pse kontrata e tij aktuale skadon në vitin 2018.