Zjarr në një banesë te Pazari i Ri në Tiranë

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e djeshme një banesë private në afërsi të Pazarit të Ri, në kryeqytet. Burimet bënë të ditur se në vendngjarje, 4 zjarrfikëse luftuan me flakët për 30 minuta, me qëllim që zjarri të mos përhapej edhe në banesat e tjera.
Zjarri në banesën një katëshe ra rreth orës 19:20, ndërsa zjarrfikësit fillimisht nxorën jashtë banorët e saj, të cilët po përpiqeshin të shpëtonin ç’të mundeshin nga shtëpia.
Sipas burimeve në vendngjarje, nuk ka pasur të lënduar, ndonëse ende nuk dihen shkaqet e zjarrit. Rreth orës 20:00 zjarri është arritur të vihet nën kontroll, ndërsa puna e zjarrfikësve është vështirësuar për shkak të rrugicës së ngushtë dhe parkimeve të gabuara të mjeteve në rrugë.