Venger thërret në “gjyq” Xhakën

Situata jo e mirë që Granit Xhaka po kalon, si brenda fushe ashtu edhe jashtë saj, ka acaruar Arsen Venger, i cili sipas “Daily Mail” i ka kërkuar lojtarit një ballafaqim për t’i shpjeguar këtë fundjavë aspak pozitive. Xhaka ndeshjen e fundit në kampionat e la ekipin me një lojtar më pak për shkak se u ndëshkua me karton të kuq, duke vështirësuar ndjeshëm ndeshjen që Arsenal e fitoi në minutat e fundit, por kjo nuk është e gjitha.
Xhaka pushtoi mediat britanike, pasi fyeu një nga punëtoret e aeroportit, duke i thënë k… e bardhë. Për këtë, mesfushori i Zvicrës u ndalua nga policia e Londrës, ku u mbajt për të dhënë sqarime. Situata të papranueshme këto për Vengerin, i cili pritet të mbajë qëndrim ndaj lojtarit, ku nuk mund të përjashtohet gjoba apo ndonjë masë tjetër deri në përjashtim. Në një farë mënyre, shqiptari i kombëtares së Zvicrës duhet të përgatitet për “gjyq”, pasi këto nuk mund të tolerohen nga trajneri i Arsenalit.
Granit Xhaka është shprehur se nuk ka përdorur fjalë raciste ndaj një pjesëtareje të stafit në aeroportin Heathrow të Londrës të hënën në mbrëmje. Mesfushori shqiptar ishte në aeroport për të përshëndetur mikun e tij, Leonard Lekaj, në kthimin e tij në Gjermani, pasi që ky i fundit ishte në vizitë në Londër. Leonard Lekaj mësohet se është vonuar për të kapur aeroplanin dhe nuk ka pasur të drejtën për të hyrë në fluturim, duke bërë kështu Granitin të nervozohet dhe të fyej anëtaren e stafit në aeroport.