Trump kërkon hetim për manipulimin e votave

Presidenti amerikan, Donald Trump bëri thirrje për hetim në shkallë të gjerë lidhur me atë që ai e quan manipulim votash në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Ai ritheksoi bindjen se votat e miliona imigrantëve pa dokumente i kushtuan atij fitoren në votën popullore. Zoti Trump i njoftoi planet për hetime dje në mëngjes në Twitter. Dje, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer u përsëriti gazetarëve pretendimin se 3 deri në 5 milionë emigrantë votuan në mënyrë të paligjshme për rivalen demokrate Hillary Clinton, pohim që zoti Trump e përmendi gjatë një takimi të hënën me udhëheqësit e Kongresit. “Kjo është një bindje që ai ka”, tha zoti Spicer. I pyetur nga gazetarët se çfarë prova ka presidenti për një pohim të tillë, zëdhënësi tha se zoti Trump “ka kohë që e beson këtë, bazuar në studimet dhe informacionet që ka”.
Por, zyrtarët e zgjedhjeve që kanë analizuar votimet e 8 nëntorit thonë se nuk ka pasur pothuajse asnjë shenjë për manipulim votash, aq më pak në atë shkallë për të cilën flet zoti Trump. Disa gazetarë në konferencën e shtypit në Shtëpinë e Bardhë e pyetën zëdhënësin se përse administrata nuk ndërmerr një hetim, në qoftë se presidenti beson se ka pasur mashtrime në shkallë të gjerë.
Zoti Spicer tha se presidenti Trump është i bindur në fitoren e tij në Kolegjin Elektoral dhe synon të përqendrohet në përmbushjen e premtimeve të fushatës. Ai shtoi se një hetim i mëtejshëm është i mundur. Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, u tha gazetarëve se ai nuk ka parë ndonjë provë manipulimesh me votën në zgjedhjet e 2016-s. Ndërkohë, udhëheqësi republikan i shumicës në Senat, Mitch McConnell tha se mashtrime me votën edhe ndodhin. “Ka gjithmonë argumente nga të dyja palët lidhur me përmasat dhe shpeshtësinë me të cilën ato ndodhin”, u tha ai gazetarëve.
Senatori i Karolinës së Jugut, Lindsey Graham, një prej kandidatëve republikanë që u mund nga zoti Trump në zgjedhjet paraprake, i bëri thirrje presidentit të mos e përsërisë pretendimin e tij, duke thënë se në qoftë se zoti Trump ka prova, atëherë duhet të thotë se përse i beson ato. Zonja Clinton fitoi votën popullore me rreth 3 milionë më shumë. Por zoti Trump fitoi në votën e Kolegjin Elektoral, sistemi që përdoret në SHBA për të përcaktuar fituesin e zgjedhjeve presidenciale.