Sondazhi i IDRA: Rama ka humbur besimin e shqiptarëve

Sipas studimit të publikuar nga IDRA të mërkurën, indeksi i besimit në qeverinë shqiptare ra nga 42 pikë në një shkallë prej 100 pikësh në vitin 2014 në 38 pikë në vitin 2017, duke regjistruar një nga rëniet më të mëdha të besimit në institucionet publike.
Një tjetër institucion që ka shënuar rënie të lartë në indeks është dhe Parlamenti, i cili nga 34 pikë nga 100 pikë më 2014-ën ka rënë në 27 pikë nga 100 pikë më 2017-ën.
Parlamenti ndiqet nga Prokuroria e Përgjithshme, që gjithashtu ka shënuar rënie nga 38 në 32 pikë dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, që ka shënuar një rënie nga 36 në 31 pikë.
Institucioni më pak i besuar nga qytetarët shqiptarë, ashtu si në vitin 2014 mbetet gjyqësori me 24 pikë në indeks nga 100 pikë, duke shënuar një rënie prej 2 pikësh nga viti 2014.
Studimi, i cili titullohet “Pandëshkueshmëria – Opinioni publik mbi kuptimin, arsyet dhe rolin e institucioneve” dhe është kryer në periudhën kohore tetor 2016-janar 2015, është mbështetur teknikisht dhe financiarisht nga Fondacioni Shoqëria e Hapur në Shqipëri, OSFA.
Ky studim bazohet në një anketë kombëtare me 1200 persona në moshë 16 vjeç e lart, nga të cilët 200 të anketuar i përkasin grupmoshës 16-24 vjeç.
Sipas studimit, interesi i qytetarëve shqiptarë ndaj problematikave me të cilat vendi përballet ka pësuar një rritje gjatë viteve të fundit dhe fokusi i tyre kryesor mbeten çështjet politike, sociale dhe ekonomike.
“Ekonomia, korrupsioni dhe keqqeverisja figurojnë sërish si dimensionet më problematike në Shqipëri, por me një rënie përsa i përket frekuencës së natyrës së tyre problematike”, tha IDRA në njoftimin për shtyp mbi studimin.
Ekonomia vazhdon të jetë problemi kryesor me të cilin përballen shqiptarët, i vlerësuar si shumë problem nga 82% e të anketuarve, i ndjekur nga korrupsioni dhe keqqeverisja, të identifikuar si shumë problem nga 80% e të anketuarve. I treti problem serioz identifikohet pandëshkueshmëria, e ndjekur nga shëndetësia, arsimi dhe ndotja e mjedisit.
Ngjashëm me vitin 2014, kur indeksi i pandëshkueshmërisë u publikua për herë të parë, media vazhdon të vlerësohet si aktori më i suksesshëm përsa i përket hetimit dhe raportimit të shkeljeve të ligjit nga zyrtarët e lartë, pavarësisht se shpesh perceptohet si një pushtet i kufizuar nga interesa politike dhe ekonomike.
Televizioni vazhdon të jetë mediumi kryesor i informacionit për qytetarët, por një rol në rritje kanë dhe publikimet në internet dhe rrjetet sociale.
Sipas të anketuarve, fenomeni i pandëshkueshmërisë në Shqipëri lidhet ngushtësisht me moszbatimin e ligjit dhe mosfunksionimin e sistemit të drejtësisë, si dhe korrupsionin. Ligji perceptohet se vepron me dy standarde, një për qytetarët e thjeshtë dhe një tjetër për zyrtarët e lartë.
Edhe pse “mesatarisht” të informuar për reformën në drejtësi, pritshmëritë e shqiptarëve në lidhje me zbatimin e saj janë të dyzuara dhe vetëm 42% e të anketuarve shprehen optimistë për zbatimin e reformës.
Në vlerësimin e perfomancës së institucioneve ligjzbatuese, Prokuroria e Përgjithshme merr notën më negative, ku 22% e të anketuarve e vlerësojnë punën e saj keq dhe 18% si shumë keq, 35% as mirë as keq dhe vetëm 19% shumë mirë dhe mirë. Ndyshe nga Prokuroria e Përgjithshme, Policia e Shtetit ka një vlerësim më të mirë, ku 2/3 e të anketuarve e vlerësojnë si mirë (44%) dhe shumë mirë (22%).

Qytetarët: Ligji jo i barabartë për të gjithë

Qytetarët besojnë se ligji nuk vepron në mënyrë të barabartë si për njerëzit e thjeshtë ashtu dhe për zyrtarët e lartë dhe se për të njëjtën shkelje një funksionar publik nuk do të ndëshkohej njësoj.
Sondazhi i publikuar dje nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA) tregon se, sipas qytetarëve pandëshkueshmëria mbetet e lartë në vend. “Fenomeni i pandëshkueshmërisë ose është shumë i përhapur, pra 70 për qind ose 26 për qind, deri diku i përhapur. Ky është një tregues i pastër i faktit se njerëzit janë unanimë përsa i përket fenomenit të pandëshkueshmërisë. Të gjithë mendojnë se është një fenomen mjaft i përhapur”, theksoi Ivi Rexhepi, analist i IDRA-s.
Në shumicë dërrmuese qytetarët vlerësojnë se korrupsioni është faktori parësor që ushqen pandëshkueshmërinë. “Në 96 për qind të rasteve korrupsioni është faktori kryesor që nxit përhapjen e fenomenit të pandëshkueshmërisë në vend, ndjekur shumë ngushtësisht nga faktorë si moszbatimi i ligjeve e rregullave, si dhe mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë”, u shpreh zoti Rexhepi.
Nuk përbën surprizë vlerësimi negativ për sistemin gjyqësor për të cilin më shumë se 1 ndër të anketuarit e vlerësojnë se “punon keq apo shumë keq”, ndërkohë që “87 për qind janë të mendimit se gjyqtarët në Shqipëri nuk janë të paanshëm”. Edhe Prokuroria nuk gëzon ndonjë besim të theksuar. “40 për qind e të anketuarve e vlerësojnë negativisht” aktivitetin e saj, ndërkohë që 35 për qind janë neutralë.
Mosbesimi i thellë te sistemi duket se e bën të vështirë që qytetarët të besojnë se Reforma në Drejtësi do të mund të sjellë përmbysje. Sipas sondazhit, ata shfaqen të dyzuar. “Ndërsa 42 për qind janë optimistë për zbatimin e saj, pothuaj po kaq deklarojnë se ajo nuk do të zbatohet”. E po ashtu dy të tretat e të anketuarve nuk kanë shpresa se procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve do të sjellë pastrimin e sistemit.

“BIRN”