Shkëlzen Berisha: Kurrë nuk kam pasur ndonjë njohje me Ismailajn

Shkëlzen Berisha përgënjështroi dje të ketë udhëtuar së bashku me të arrestuarin për aferën e CEZ, Kastriot Ismailaj, ndërsa deklaroi se do të ndjekë rrugën ligjore ndaj shpifësve politikë. “Dje një nga tualetet mediatike të Ramës që ushqehet me para publike përmes koncesioneve të dhëna nga qeveria, përcolli shpifjen e radhës sipas së cilës unë paskam udhëtuar me z. Ismailaj (me të cilin nuk kam pasur kurrë asnjë lloj lidhje e aq më pak punë apo udhëtime të përbashkëta) drejt Pragës për ta ndihmuar atë në lidhje me kontratat e tij me CEZ.
Për ta vërtetuar këtë u servirën disa gjysma datash kur z. Ismailaj dhe unë kemi rastisur në vajtje ose në kthim (asnjëherë në të dyja) në të njëjtin avion në segmentin Tiranë-Vjenë. Për të hamendësuar për atë që ka ndodhur përtej këtij segmenti, në mungesë të fakteve, media në fjalë serviri shpifjet e porositura të njërit prej urithëve të Ramës.
Unë si cilido pasagjer përgjigjem vetëm për veten dhe destinacionin tim dhe nuk mbaj asnjë përgjegjësi kush hipën apo ku shkojnë 200 udhëtarët e tjerë të avionit. Pavarësisht kësaj deklaroj me përgjegjësi të plotë ligjore se nuk kam udhëtuar kurrë as në Pragë dhe në asnjë destinacion tjetër të rruzullit as me z. Ismailaj as me ndokënd të afërt me të.
I bindur që me afrimin e zgjedhjeve, shpifjet ndaj meje dhe familjes time do të vazhdojnë për të mbuluar mashtrimet, dështimet dhe vjedhjet e Ramës, njëlloj si refreni fajin e ka Saliu, kam vendosur t’u përgjigjem në rrugë ligjore.
Disponoj të gjitha provat e duhura për të paditur për shpifje të gjithë ata që mendojnë se do të shpëtojnë koncesionet, sarajet, paratë e vjedhura në marrëveshjet me CEZ dhe lëkurën e tyre përmes mashtrimit dhe trillimit.
Padia për shpifje do të jetë penale!”, shprehet Shkëlzen Berisha në një reagim ndaj lajmit të qarkulluar në mediat e Ramës.