Nis greva e urisë e banorëve të zonave të përmbytura në Shkodër

Tetë banorë të zonave të përmbytura në vitet 2010-2011 në Shkodër nisën dje grevën e urisë, duke kërkuar dëmshpërblimet. Ata kanë qëndruar për disa orë, duke negociuar me policinë për të ngritur një çadër për zhvillimin e grevës së urisë, por nuk janë lejuar.
Rreth orës 12:00 të mesditës së djeshme, ata kanë vendosur që grevën e urisë ta nisin në stolat pranë institucionit të prefektit, duke deklaruar se nuk do të largohen që andej pa iu plotësuar kërkesa.
Banorët që kanë hyrë në grevë urie janë: Gjon Lasku, Pal Marku, Frrok Kola, Lush Ndoci, Arben Kola, Mhill Guri, Skënder Mhilli dhe Dritan Ndreu.
Ata kishin dorëzuar më herët në polici kërkesën për lejen për zhvillimin e grevës së urisë, çka iu refuzua. Banorët kanë akuzuar qeverinë se i ka mashtruar. Pas përmbytjetve, qeveria Berisha kreu vlerësimin e dëmeve, por nuk arriti t’i dëshmpërblejë, pasi në 2013 zgjedhjet u fituan nga “Rilindja”, ndërsa Rama nuk pranon t’i dëmshpërblejë. Banorët tentuan të ngrenë çadrat në sheshin para Prefekturës, por nuk u lejuan nga Policia e Rendit. Forca të shumta policie vijojnë të qëndrojnë pranë Prefekturës së Shkodrës.

Bashkia Shkodër në mbështetje të grevistëve

Në lidhje me protestën ka reaguar edhe kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi. Në një postim në rrjetin social Facebook, Ademi shkruan se të përmbyturit janë në të drejtën e tyre.
“Pra, kjo është alternativa e kësaj qeverie për Shkodrën, asnjë lek, asnjë fond, asnjë interesim. Në vend të zgjidhjeve për njerëzit, ofrohet dhunë, kordona policie.
Të përmbyturit janë në të drejtën e tyre, por diskriminohen hapur nga Edi Rama e qeveria e tij, që pas braktisjes po tenton të fusë dhe konfliktin në qytetin më të madh të Veriut. Meqë ai nuk votohet në Shkodër, hakmerret dhe çon deri në fund trillet e tij. Nuk i ka bërë mirë llogaritë. Shkodra dhe shkodranët nuk janë sunduar me polici e forca të armatosura as në ditët më të këqia të diktaturës. Eshtë koha që ai të reflektojë, të ndryshojë raportin me Shkodrën, duke respektuar në mënyrë të barabartë të drejtat e çdo individi në këtë vend, e të ushtrojë detyrimin që ka si kryeministër”, shkruan Ademi në Facebook.