Hungaria e shpall Sorosin non grata

Në mes të janarit nënkryetari i partisë Fidesz të kryeministrit Viktor Orban nënshkroi ndalimin e tri OJQ-ve të themeluara nga Fondacioni Soros – organizatën e të drejtave të njeriut “Komiteti i Helsinkit”, Unionin hungarez “TASZ ” (Civil Liberties Union) dhe organizatën e antikorrupsionit Transparency International. Një projektligj është vendosur në axhendën e legjislativit për në pranverë.
Qysh në vitin 2014 Orban nxiti edhe hetimet ndaj fondacioneve të financuara nga Norvegjia duke i deklaruar si “aktivistë politikë” të grupeve të shoqërisë civile, që financohen nga bota e jashtme. Shefi i pushtetshëm i kabinetit të Orbanit, Janos Lazar, një vit më parë pati përpiluar një listë të zezë duke renditur në të organizatat civile të cilësuara si “problematike”.
“OJQ-të janë ndër të paktat forca që ende kanë mbetur në Hungari, që janë në gjendje të bëjnë diçka në mbrojtje të demokracisë”, thotë drejtorja ekzekutive e organizatës “TASZ”, Stefania Kapronczay. Në një deklaratë “TASZ” e quan këtë qëndrim një “pikë kritike në fushatën e qeverisë kundër të drejtave të lirisë”, Kapronczay e cilëson këtë si një “putinizim të Hungarisë”.
Në vitin 2015, prokurori i Përgjithshëm rus i deklaroi dy fondacione të Sorosit si “të padëshiruara”. Të prekura ishin fondacionet “OSI Assistance Foundation” dhe “OSF”. Të dyja këtyre organizatave u është ndaluar aktiviteti në Rusi. Këtë masë prokuroria e Përgjithshme e pati argumentuar se, fondacionet e Sorosit me aktivitetin e tyre rrezikojnë bazat e rendit kushtetues dhe sigurinë e Rusisë.
OJQ-të e vëna në shënjestër në Hungari mbështeten kryesisht nga “Fondacioni i Shoqërisë së Hapur” (OSF) të miliarderit amerikano-hungarez, George Soros. Ky i fundit dikur në fillim të viteve ‘90-të u brohorit si një çlirimtar në Hungari. Duke ndihmuar rënien e komunizmit, duke siguruar makinat fotokopjuese për botimet e opozitës liberale Samizdat, ai mori përsipër themelimin e Universitetit prestigjioz të Evropës Qendrore në vendlindjen e tij në Budapest dhe e ktheu qytetin në një qendër rajonale për Fondacionet e tij të Shoqërisë së Hapur (OSF) një rrjet i madh bashkëpunimi për mbi 60 OJQ në Hungari.
Por qëkurse vizioni i kryeministrit hungarez, Viktor Orban po kërcënohej prej globalizimit të demokracisë liberale, Sorosi 86-vjeçar u shpall persona non grata në Hungari dhe idealet e “Shoqërisë së Hapur” u vunë në shënjestër.