Arlind Ajeti, dështim i Torinos në merkato

Rezultatet negative të Torinos në muajt e fundit kanë krijuar terren për kritika nga media italiane. Skuadra e trajnerit Mihajloviç ka marrë vetëm pesë pikë në shtatë ndeshjet e fundit, ndërkohë që kishte grumbulluar 25 në 14 përballjet e mëparshme. E përditshmja torineze “La Stampa” drejton gishtin e fajit si te tekniku serb për përgatitjen e ekipit, ashtu edhe te drejtuesit e klubit për lëvizjet në merkato.
Duke u ndalur te kjo pikë, gazeta italiane përmend edhe Arlind Ajetin si një nga afrimet e dështuara në ekipin “Granata”. Qendërmbrojtësi i kombëtares u mor verën e shkuar si një dëshirë e trajnerit, mirëpo deri tani ka luajtur vetëm një ndeshje, atë ndaj Pizës së Çanit dhe Ujkanit në Kupën e Italisë.
Në fakt, 23-vjeçari e nisi mirë aventurën te Torino, duke bërë paraqitje pozitive në miqësoret e para përgatitore. Mirëpo dëmtimi i pësuar në njërën prej tyre gjatë gushtit të shkuar e la jashtë fushe për rreth katër muaj, duke i mohuar mundësinë të luftonte për vendin e titullarit.