Vrasja për drogën, Prokuroria i dërgon policisë dosjen “Pudja”

Prokuroria e Tiranës, pas hetimeve për ngjarjen e 7 tetorit ka zbuluar se 36-vjeçari Besnik Pudja është vrarë për drogën. 36-vjeçari u gjet i vdekur nga plumbi në një kapanon të tharjes së lëndës narkotike në Kollogjesh të Shëngjergjit. Pas hetimeve të Prokurorisë, dosja penale është pezulluar nga organi i akuzës dhe i është ridërguar Drejtorisë së Policisë Tiranë, e cila këtë herë duhet të kryejë veprime hetimore, tashmë me objekt vrasjen dhe me qëllim zbulimin e autorit ose autorëve të saj.
Kthimi i dosjes në polici hedh poshtë versionin e dhënë nga kjo e fundit më 7 tetor 2016, kur e referoi këtë ngjarje si vetëvrasje. Si provë kryesore për argumentin e vetëvrasjes, policia tha se viktimës i kanë gjetur në duar shenja baruti, pretendim që është hedhur poshtë nga Prokuroria.
Nisur nga trajektorja e plumbit, dëshmitë kontradiktore të personave të pranishëm në vendngjarje, nga pozicioni i trupit të pajetë dhe i armës me të cilën pretendohej se ishte kryer vetëvrasja Prokuroria ka dalë në konkluzionin se kemi të bëjmë me vrasje dhe i lë detyrë policisë të zbardhë ngjarjen dhe të identifikojë autorët.
6 ditë pas ngjarjes, më 13 tetor policia arrestoi Algers Liçin, Dritan Buzon dhe Halit Dushën me pretendimin se ata kanë qenë në vendngjarje dhe nuk kanë treguar se çfarë ka ndodhur. Megjithatë, dyshimet se Besnik Pudja është vrarë dhe jo vetëvrarë janë hedhur që të nesërmen e ngjarjes nga familjarët. Babai i viktimës, Petrit Pudja tregoi për mediat se, pasi ia kanë vrarë djalin, kanë fshehur provat dhe kanë pastruar gjithçka në magazinë, duke e hequr drogën nga vendi ku ai u gjet i vrarë.
Ndërkohë, vrasja e Besnik Pudjas në magazinën e hashashit dyshohet se është porositur nga truproja i ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Elvis Rexha. Ish-Kryeministri Berisha publikoi pak ditë pas ngjarjes një mesazh të mbërritur në adresë të tij nga një oficer policie, i cili hedh dyshime serioze se vrasja është kryer, ose është porositur nga Elvis Rexha, që është badigardi i ministrit Saimir Tahiri. Berisha shkruante se, të gjitha manipulimet, fshehjen dhe zhdukjen e provave të vrasjes së Besnik Pudjas i ka bërë drejtori i Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj me porosi të Saje qorrit dhe e raportoi si vetëvrasje.
“Oficeri dixhital hedh dyshime se: Dyshime tejet serioze ka hedhur në informacionin e tij se, badigardi dhe kryesekseri i Saje qorrit, Elvis Rexha, mund të jetë dhe ekzekutori ose porositësi i vrasjes së Besnik Pudjas. Elvis Rexha është kryesori i parcelave të kanabisit në malësinë e Shëngjergjit! Të gjitha manipulimet, fshehjen dhe zhdukjen e provave të vrasjes së Besnik Pudjas i ka bërë drejtori i Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj me porosi të Saje qorrit. I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të hetojë me përparësi implikimin direkt të Saje qorrit, sekserit të tij, Elvis Rexha dhe drejtorit Ervin Hoda, në këtë krim të shëmtuar dhe përpjekjen për të paraqitur ekzekutimin mafioz të Besnik Pudjas si vetëvrasje!”, shkruante Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e oficerit të policisë.
“Pëshëndetje doktor. Jam një oficer i Policisë në Komisariatin Nr. 4 në Tiranë. Ju bëj me dije se, Besnik Pudja personi që u gjet i vrarë në hangarët e hashashit në fshatin Kallogjesh në Shëngjergj është mik dhe lidhje e ngushtë e Elvis Rexhës, badigardit dhe sekserit më të ngushtë të Sajmir Tahirit dhe e di e gjithë zona. E gjithë vendngjarja dhe servirja e rrethanave të rreme për këtë ngjarje është bërë me porosi të drejtorit të Tiranës, Ervin Hodaj, që të mos dalë e vërteta që mbas këtyre parcelave dhe kësaj ngjarje kaq të rëndë të mos dalë në dritë emri i Elvis Rexhës, që është kaq shumë i implikuar në atë zonë me parcelat e hashashit”, shkruante oficeri i policisë.