Vërshim i lejeve për ndërtimin e HEC-eve

Ministria e Industrisë dhe Energjetikës është përfshirë në një proces të vrullshëm të dhënies së lejeve për ndërtimin e HEC-eve të vogla deri në 2 MW. Vetëm dje u publikuan tri aplikime për ndërtimin e tri objekteve HEC, dy prej të cilave në Lumin Selcë në Malësinë e Madhe dhe një në Drinin e Zi.
Më herët gjatë vitit 2016 Ministria e Energjetikës miratoi dhjetëra leje të reja për ndërtimin e HEC-eve kryesisht 2 MW në të gjithë vendin. Por ndërtimi i tyre po shoqërohet me shqetësim nga banorët e zonave për shkak të dëmeve që ka krijuar ndërtimi i tyre në zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe turizmit.
Burimet zyrtare të Ministrisë së Energjetikës bënë me dije se aplikuesi “E.B.S” SHPK, ka aplikuar për miratimin e ndërtimit të hidrocentralit “Muhur 2”, me kapacitet prodhues deri në 2 MW, mbi përroin e Murrës, degë e lumit Drin i Zi, Qarku Dibër.
“Selca Energji” është një kompani tjetër që ka aplikuar në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, për miratimin e ndërtimit të hidrocentralit “Vriela”, me kapacitet prodhues deri në 2 MW, mbi përroin e Vrielit, degë e lumit Cem, Bashkia Malësi e Madhe, Qarku Shkodër.
Aplikimi i tretë është bërë nga “W.T.S-Energji” për ndërtimin e hidrocentralit “Dobrinjë”, me kapacitet prodhues deri në 2 MW, në pellgun e përroit të Shllapit dhe lumit të Cemit të Selcës, Bashkia Malësi e Madhe në Qarkun Shkodër.
Prodhimi i energjisë elektrike nga HEC po shihet si një mjet efikas për të diversifikuar investimet nga sektori i ndërtimit. Për më tepër tregu për këtë produkt është i garantuar dhe me çmime të fiksuara. Kostot e aktivitetit lidhen vetëm me ndërtimin e objektit dhe mirëmbajtjen e tij dhe pastaj ka vetëm fitime nga shitja e energjisë.
Ndërtimi i HEC-eve të vogla ka krijuar dëme të mëdha në mjedis, por nga ana tjetër e kanë ndikuar pozitivisht prodhimin e energjisë në vend. Tashmë këto objekte prodhojnë mbi 20 për qind të totalit të prodhimin të energjisë hidrike në vend duke bërë që Shqipëria t’i plotësojë gjithnjë e më shumë nevojat për konsum nga tregu vendas.