Tronditet Reali!

Marcelo dhe Luca Modriç shqetësojnë Realin e Madridit. Mbrojtësi brazilian i Los Blancos pësoi një dëmtim në gjurin e majtë në takimin e së shtunës, kundër Malagas. Pas testeve mjekësore, mjekët dolën në përfundimin se Marcelos do t’i duhet të qëndrojë larg fushave të blerta për 4 javë. Ndërkohë një situatë disi më e lehtë, paraqitet për mesfushorin kroat Luka Modriç.
31-vjeçari më shumë sesa dëmtim, ka një mbingarkesë fizike, për shkak të minutave të shumta që ai ka luajtur, çka e detyroi të kërkonte zëvendësimin në sfidën me Malagan, pasi ndjente shqetësim në këmbën e djathtë. Kroatit i është rekomanduar të qëndrojë pushim 1 javë. Stafi mjekësor do të tentojë rikuperimin e mesfushorit për ndeshjen e fundjavës kundër Real Sociedad. Ndërkohë që ankth pati edhe për yllin e klubit madrilen, Cristiano Ronaldo, i cili pësoi një goditje në këmbë, por për 4 herë fituesin e Topit të Artë, nuk ka vend për panik. Ai pritet që të jetë i gatshëm, për ndeshjen e kthimit kundër Celta Vigos në fazën çerekfinale të Kupës së Mbretit.
Sipas të përditshmes sportive madrilene, “AS”, James Rodriguez nuk është paraqitur dje në stërvitje, edhe pse një gjë e tillë ishte pritur. “AS” dyshon se mesfushori kolumbian mund t’i mungojë Los Blancos deri në tri javë. Kurse, të hënën është konfirmuar se Luka Modriç do të mungojë një javë, derisa Marcelo tri javë. Por, lajm i mirë është se Cristiano Ronaldo dhe Danilo dje janë stërvitur me grupin dhe pritet të jenë gati për Celta Vigon.
Ndërkohë, Reali do të përballet me Napolin në Champion Ligë. Si të mos mjaftonin golat e Cristiano Ronaldo, Modriç apo Benzema, skuadra italiane duhet të llogaritë një tjetër pikë force që është kthyer në vendimtare në ndeshjet e fundit. Mbrojtja e “blankos” po kthehet në sulmin më të mirë me lojtarët e prapavijës në rolin e goleadorëve.
18 rrjeta sezonale akumulojnë mbrojtësit galaktikë, duke e bërë këtë repartin difensiv më profilik të Europës. Reali i Zidan jo vetëm që pëson pak, pasi ka lejuar prekjen e rrjetës 17 herë në 18 ndeshje, por realizon shumë gola që vijnë nga reparti që nuk pritet. Mbrojtësit “blankos” kanë shënuar 18 herë, më shumë sesa kanë shënuar të gjithë te Empoli, Crotone, Palermo apo Pescara në Serinë A apo Granada e Leganes në La Liga.
Sergio Ramos ishte i fundit që vodhi skenën e sulmit duke shënuar dy herë dhe duke i dhënë fitoren Realit kundër Malagas. Kapiteni i formacionit kryeqytetas spanjoll numëron 8 gola sezonalë pa ndihmën e penalltive apo goditjeve të dënimit. Por edhe shokët e tjerë të repartit nuk bëjnë shaka. Varane ka sigluar 4 gola, Marcelo dy dhe kanë shënuar gjithashtu Carvajal, Nacho, Pepe e Danilo.