Trafiku i drogës me avion në Ishëm, lirohet piloti Guido Guidi

Piloti italian Guido Andrea Guidi, që uli në Ishëm të Durrësit avionin për ta ngarkuar me drogë, i kthehet pasaporta dhe lihet i lirë me masën e sigurisë atë të garancisë pasurore prej 10 mijë eurove. Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Krimeve të Rënda i caktoi masën e sigurisë, atë të garancisë pasurore prej 10 mijë eurove të depozituar në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri nga djali i pilotit. Vetë 70-vjeçari ishte prezent në sallën e gjyqit, i cili u zotua se do të jetë i gatshëm për Prokurorinë sa herë të thirret e të njoftohet. Edhe avokati mbrojtës, mbajti të njëjtin qëndrim, me argumentin se piloti Guido Guidi nuk mund të rri i izoluar në Shqipëri, pasi është i moshuar dhe ka nevojë për familjarët e tij, që jetojnë në Itali. Pas këtyre argumenteve, gjyqtari Bib Ndreca vendosi të pranoi kërkesën e Prokurorisë, për hetimin në gjendje të lirë të pilotiti italian kundrejt garancisë pasurore prej 10 mijë eurove. Sipas akuzës, piloti 70-vjeçar ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë, duke dhënë ato pak emra me të cilët ka kontaktuar në Itali për të kryer transportin e drogës kundrejt shumës prej 20 mijë eurove që do të merrte. Por edhe pse kanë kaluar 4 muaj nga momenti i uljes së avionit, autoritetet italiane nuk kanë sjellë ndonjë detaj për emrat e personave që kanë kontaktuar pilotin italian për të kryer transportin e drogës.
Nga ana tjetër personi që ka marrë me qera tokën, ku është ndërtuar pista e uljes së avionëve, sipas akuzës, vazhdon të jetë jashtë territorit shqiptar dhe ende nuk është pyetur. Ndërsa në lidhje me bashkpëunëtorët e mundshëm të trafikut të drogës, Prokuroria thotë se nuk ka një të dhënë apo informacion qoftë edhe nga Policia e Shtetit për emra të personave që mund të kenë bashkëpunuar me pilotin italian. Si dhe me shtetasit shqiptarë e italian, të cilët e kanë kontraktuar pilotin për të trafikuar drogën nga Shqipëria me avion.
Ndërkohë, pranë Prokurorisë për Krime të Rënda kompania e avionit me të cilën u ul më 15 shtator të vitit të shkuar në Ishëm piloti italian, kanë sjell kërkesën për marrjen e avionit të vogël. Burimet thonë se ende nuk ka një vendim konkret për kthimin apo jo të avionit që italiani kishte marrë në përdorim për të trafikuar drogë nga Shqipëria në Itali.