Rezoluta e PPE, Europa tre kushte Ramës për zgjedhjet

Ansambleja e Përgjithshme e Partive Popullore Europiane ka miratuar dje një rezolutë, e cila bën thirrje për aprovimin me konsensus të reformës zgjedhore, dënimin e shitblerjes së votës, dekriminalizimin e politikës dhe luftën e pareshtur kundër drogës.
PPE, grupimi që ka shumicën në Parlamentin Europian, është institucioni që vendos për integrimin ose jo të vendit në strukturat e Bashkimit Europian. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Partisë Demokratike përmes një postimi në rrjetet sociale ku shprehet se, “Asambleja Politike e Partisë Popullore Europiane (PPE), e cila ka shumicën në Komisionin dhe Parlamentin Europian, diskutoi ndër të tjera zhvillimet e pritshme politike që lidhen me anëtarët e saj.
Asambleja miratoi me unanimitet një rezolutë për Shqipërinë, e cila bën thirrje për zgjedhje të lira e të ndershme dhe dënon shitblerjen e votës. Rezoluta bën thirrje për aprovimin me konsensus të reformës zgjedhore, si dhe për zbatimin e ligjit për dekriminalizimin e politikës dhe kërkon masa urgjente kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës.
Dua të shpreh mirënjohjen time për mbështetjen e PPE-së ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve në betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme, luftën kundër krimit dhe të ardhmen tonë europiane, si dhe angazhimin tim për përmbushjen e këtyre qëllimeve”, shprehet Basha. Partitë Popullore Europiane aktualisht gëzojnë shumicën në Parlamentin Europian dhe në komisionet përkatëse, si Komisioni i Jashtëm, ai për Sigurinë, Financat etj.
Rezoluta e Partive Popullore miraton shqetësimin e ngritur prej kohësh nga Partia Demokratike për zgjedhjet e qershorit. Kjo rezolutë është e rëndësishme për të paktën dy arsye. Ajo është paralajmëruese për Ramën. Ajo e bën të qartë se, nëse nuk do të respektohen tre kushtet e paraqitura në rezolutë, atëherë zgjedhjet e qershorit nuk do të kenë legjitimitet nga Popullorët Europianë. Përmes rreshtave të kësaj rezolute Rama në të vërtetë duhet të lexojë qëndrimin e nesërm të Bashkimit Europian për zgjedhjet. Partitë Popullore kontrollojnë tërësisht Parlamentin Europian dhe Komisionin Europian.
Rezoluta ka një risi. Ajo bën thirrje për një reformë konsensuale zgjedhore. Rëndësia e kësaj pike të vendosur në rezolutë është një miratim në heshtje i kërkesës së opozitës për votimin elektronik. PD ka kërkuar në Komisionin e Reformës Zgjedhore miratimin e votimit elektronik dhe identifikimin biometrik të zgjedhësve. Në mënyrë të njëanshme PS ka vendosur veton dhe kjo ka sjellë paralizë të plotë të punës së Komisionit të Reformës Zgjedhore. Popullorët Europianë thonë se pa arritjen e këtij kompromisi mbi zgjedhjet do të vihet në dyshim edhe legjitimiteti i zgjedhjeve. Rezoluta i imponohet qeverisë për t’u tërhequr nga diskutimi në mënyrë të njëanshme të reformës në drejtësi dhe i kërkon arritjen e konsensusit dhe pika kryesore e këtij konsensusi është votimi elektronik më 18 qershor.
Kushti i dytë, të cilin Europa i vendos Ramës për zgjedhjet është dekriminalizimi.  Procesi ka nisur të japë rezultatet e para, por është ende larg asaj që pritet nga shoqëria dhe nga partnerët ndërkombëtarë. Rama shpreson se edhe në këto zgjedhje ai do të mund t’i vjedhë me bandat kriminale. Paralajmërimi i djeshëm i Europës përmes rezolutës së PPE është i qartë: zgjedhjet nuk do të kenë asnjë legjitimitet nëse procesi i dekriminalizimit nuk përfundon përpara fushatës zgjedhore. Kjo nuk është më një kërksë për të kaluar radhën, por është e firmosur nga grupimi më i madh politik në Bashkimin Europian.
Problemi i tretë që ngrihet në rezolutën e PPE-së është ai i drogës. Rezoluta kërkon marrjen e masave urgjente kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës. Fjala “masa urgjente” nënkupton se ndërhyrja duhet të nisë tani dhe se as që bëhet fjalë që droga të jetë një kartë politike me të cilën Rama do të tolerohet për të grabitur zgjedhjet. Edhe ky është një kusht, të cilin Rama nuk mund ta pranojë. Droga është leva e Arkimedit me të cilën Rama fiton zgjedhjet. Vetëm në muajin dhjetor raportohen të jenë futur në Shqipëri rreth 14 tonë drogë. Sasia është e jashtëzakonshme dhe pritet që të nisë të mbillet vetëm pas disa javësh dhe do të përdoret si mjet presioni në të gjithë vendin nga qeveria në shkëmbim të votës në zgjedhje.
Konsensusi për reformën zgjedhore, masat urgjente ndaj kultivimit dhe trafikimit të drogës, si dhe dekriminalizimi, deri dje ishin pjesë e axhendës së opozitës, ndërsa nga sot janë pjesë e kushteve të Brukselit për Ramën. Rama mund të zgjedhë që të injorojë Brukselin për pushtetin e tij, por ai nuk do të mund të mbajë asnjë pushtet që nuk legjitimohet nga partnerët e Shqipërisë.

Arben SHAHINI