Ballina Ekonomi Qeveria nuk paguan kontratat e rrugëve, 24 milionë euro borxh

Qeveria nuk paguan kontratat e rrugëve, 24 milionë euro borxh

Qeveria shqiptare nuk po përmbush angazhimin për të mos krijuar detyrime të prapambetura ndaj kontraktorëve të saj, teksa shihet se vetëm në 10 muaj, janar-31 tetor 2016, borxhi i akumuluar arriti në 3.3 miliardë lekë ose 24 milionë euro. Më shumë se 75 për qind të këtyre detyrimeve i përkasin kontratave të papaguara në rrugë. Megjithatë, borxhi i prapambetur mund të jetë edhe më i lartë pasi në monitorim për detyrimet e krijuara rishtaz janë vetëm 16 ente publike, teksa qindra të tjera që kryejnë shpenzime nuk janë përfshirë në raportim.
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës raportoi që detyrimet për periudhën nga janar-31 tetor 2016 janë në vlerën 2 533.5 milionë lekë, të krijuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), për 10-mujorin e vitit 2016 deklaron detyrime të krijuara rishtaz në vlerën 1 817.3 milionë lekë për:
1- Kontrata studime, projektime dhe oponencë, në vlerën 82.2 milionë lekë, që kanë ardhur si pasojë e mosplanifikimit të tyre në buxhetin e vitit 2016 nga ARRSH.
2- Kontrata investimi (ndërtime, rikonstruksione) në vlerën 811.8 milionë lekë, janë kontrata shumëvjeçare dhe buxhet i pamjaftueshëm për likuidimin e plotë të faturave, ndërkohë që kontraktorët vazhdojnë me avancimin e punimeve sipas grafikut të tyre.
3- Supervizione punimesh, në vlerën 23.5 milionë lekë, kanë lidhje me kontratat e ndërtimit.
4- TVSH dhe kostoja lokale, në vlerën 86.2 milionë lekë.
5- Vendime gjyqësore – në vlerën 139.2 milionë lekë.
6- Sinjalistika dhe të tjera – në vlerën 223.2 milionë lekë.
7- Kontrata mirëmbajtjeje – në vlerën 451.2 milionë lekë.
8- Ujësjellës-Kanalizime, për 10-mujorin e vitit 2016 deklaron detyrime të krijuara rishtazi në vlerën 716.2 milionë lekë.
9- Për projektet me financim të huaj që ka të bëjë me pagesa të rimbursimit të TVSH-së dhe kosto lokale, 338.3 milionë lekë.
10- Për projektet me financim të brendshëm kryesisht në objektet për furnizimin me ujë të plazheve Durrës–Kavajë, 377.9 milionë lekë.
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka raportuar 19.9 milionë lekë të lindura si detyrime nga vendimet gjyqësore të formës së prerë në disa institucione.
Ministria e Drejtësisë raporton që detyrimet për periudhën nga 01.01.2016–31.10.2016, janë në vlerën 201.1 milionë lekë të lindura si detyrime nga vendimet gjyqësore të formës së prerë të ndara sipas institucioneve si më poshtë:
Agjencia e Kthimit dhe Kompesimit të Pronave – 169.2 milionë lekë që ka të bëjë me detyrime për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Nga AKKP është ngritur problemi për pamjaftueshmëri fondesh.
Mjekësia Ligjore raportoi 5.2 milionë lekë detyrime. Aparati i Ministrisë së Drejtësisë ka raportuar 21.7 milionë lekë detyrime që ka të bëjë me detyrime për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.
Ministria e Shëndetësisë raportoi që detyrime të prapambetura për periudhën në vlerën 26.3 milionë lekë, ndërsa Ministria e Bujqësisë 28 milionë lekë.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes raporton detyrime 278.5 milionë lekë të lindura si detyrime nga vendimet gjyqësore të formës së prerë në disa institucione.
Ministria e Energjisë dhe Industrisë raporton detyrime në vlerën 54.1 milionë lekë.

Exit mobile version