Po fryn era Neymar

Luiz Felipe Scolari, ish-trajneri i kombëtares së Brazilit aktualisht drejton skuadrën kineze të Guangzhou Evergrande, shprehet se kurrë nuk e ka lënë pas dore futbollit në Europë. Braziliani ka cekur pothuajse të gjithë temat që aktualisht janë shumë të nxhehta, si dueli Mesi Neymar apo lufta për “Topin e Artë”.
“Ronaldo dhe Mesi janë gjithnjë në majë, duke konkurruar me njëri-tjetrin, por në dy vite unë do të vendosja Neymarin në ato nivele. Në fakt, ai ka nisur që tani të rrëzojë nga froni njërin prej tyre. Ai është një nga lojtarët më të mirë që kam stërvitur ndonjëherë”, u shpreh së fundmi tekniku, i cili foli edhe për ecurinë e këtij sezoni të dy hegjemonëve të La Ligës, Real Madrid dhe Barcelona.
“Sot, Real Madrid i afrohet stilit tim më shumë se Barcelona. Luis Enrique pëlqen të luajë futboll të mirë, por katalanasit kanë ndryshuar në vitet e fundit me lojtarë si Suarez, Mesi dhe Neymar”, shpjegoi Scolari.
I pyetur më tej për dy lojtarët më të mirë në botë, braziliani theksoi ndryshimin thelbësor të 31-vjeçarit Ronaldo me “Pleshtin”. “Cristiano është lojtari më i mirë në botë, sepse ai bëhet i tillë, duke u stërvitur për këtë dhe duke u angazhuar krejt ndryshe nga çdo lojtar tjetër. Ai e ngarkon veten, ndërsa Mesi jo. Më i miri që kam stërvitur? Rivaldo, Ronaldo, Ronaldinho, Roberto Carlos gjithashtu”, përfundoi ish-kampioni i botës.
Kampionati spanjoll është kompeticioni që ka skuadrat më sulmuese në Europë. Sipas  asaj që publikohet te e përditshmja “Marca”, statistikat e La Liga-s flasin për mesataren më të lartë të shënimit të golave në krahasim me kampionatet e tjerë të rëndësishëm në Europë.
Kështu 20 klubet e La Liga-s kanë në aktivin e tyre 549 gola të shënuar me një mesatare prej 2.9 golash për ndeshje. Në vendin e dytë gjendet Premier League me 2.86 gola për ndeshje, ndërkohë që Serie A plotëson podiumin me 2.75 gola për ndeshje. Klasifikimi vijon me kampionatin holandez e Bundesliga-n gjermane në vendin e katërt dhe të pestë.
Liga me mesataren më të ulët të shënimit të golave nga kompeticionet më të rëndësishme të Kontinentit të vjetër, rezulton të jetë ajo franceze me 2.5 gola për ndeshje.
Përsa i përket skuadrave, është Monaco ajo që deri tani ka shënuar më shumë gola, 64 të tillë duke lënë pas emra të tillë si Real Madrid, Barcelona, Manchester United apo Juventus. Skuadra katalanase është ajo që kryeson në këtë pikë në Spanjë me 51 gola të shënuar, po aq sa edhe Liverpool në Premier League.
Në Itali është Napoli që kryeson me 47 gola të shënuar, 1 më pak se Reali i Madridit me të cilin do të përballet edhe në Ligën e Kampioneve në muajin shkurt.