Optikë mbi gjeostrategjinë e Presidentit Donald Trump

Asllan BUSHATI

Disa ditë para marrjes detyrës, Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, i dha një deklaratë të shkurtër një organi të medias ku ndër të tjera tha se: “NATO-ja është një organizëm i vjetëruar”. Kjo bëri që një alarm i vërtetë të përhapej (madje mund të thuhet pushtoi), me shpejtësi shumë të madhe gjithë vendet europiane dhe një pjesë të amerikanëve, sikur katastrofa ndodhi.
Por për efekt analize, le të kthehemi prapa në kohë gati shtatë dekada dhe të pyesim: pse u krijua NATO-ja, organizmi më i madh dhe më i fuqishëm ushtarak i të gjitha kohërave? Përgjigjja është shumë e thjeshtë: instrument për mbrojtjen e Amerikës Veriore dhe Europës Perëndimore nga rreziku komunist. Dhe në vazhdim, vërtet ishte kaq real në atë kohë një rrezik i tillë? Po ishte me të vërtetë, sepse përveç Bashkimit Sovjetik (që kishte 16 republika), komunizmi në Europë ishte shtrirë edhe në: Poloni, Republikën Demokratike gjermane, Çeki+Sllovaki (Çekosllovaki), Hungari, Rumani, Bullgari, Shqipëri dhe gjysmak edhe në Jugosllavi.
Si kundërpeshë e NATO-s, në vendet e mësipërme komuniste u krijua edhe Traktati i Varshavës, i cili jetoi deri në shembjen e komunizmit në vitin 1990. Pra, NATO-ja u krijua kundër komunizmit, por komunizmi ka gati 27 vite që është varrosur dhe një pjesë e rëndësishme e vendeve ish-komuniste sot janë anëtare të NATO-s. Pra, objekti strategjik për të cilin NATO u ngrit nuk ekziston më si objektiv dhe realisht komunizmi nuk përbën asnjë rrezik për gjithë vendet që inkuadrohen në këtë organizëm. Atëherë Presidenti Donald Trump, mendoj se ka plotësisht të drejtë kur thotë se NATO-ja është e vjetëruar.
Por meqenëse komunizmi nuk është më rrezik për botën e sotme demokratike, pyetja shtrohet: a ka ndonjë rrezik tjetër kërcënues në ditët e sotme? Unë mendoj se: po ka një rrezik dhe ai është terrorizmi (të cilit hë për hë mund t’i vihet mbiemri islamik, por që në të ardhmen mund të ketë edhe mbiemra të tjerë). Po NATO-ja, një instrument kaq i rëndë ushtarak, a mund të jetë efikas në luftën e re kundër terrorizmit? Pëgjigjja ime si ish-ushtarak, është se pothajse është e vështirë për të mos thënë e pamundur. Atëherë përsëri Presidenti Trump paska të drejtë kur thotë se NATO-ja është e vjetëruar. Por ky fakt vetëm si konstatim nuk e zgjidh problemin e luftës kundër terrorizmit. Problemi zgjidhet duke ndryshuar strategjinë, taktikën dhe formën e organizimit. Pra, NATO-ja e sotme duhet të  ristrukturohet, të ndryshojë e t’i përshtatet armikut të ri. Por duke ndryshuar objektin strategjik, formën e të bërit luftë dhe strukturën organizative, nga NATO-ja e sotme mund të largohen disa anëtarë, ashtu siç mund të vijnë disa të tjerë si për shembull: Austria, Zvicra, Serbia, Ukraina dhe pse jo edhe Rusia. Ndokush mund ta quajë pohimin tim të mësipërm si një lajthitje, dakord, por edhe Presidenti i ri amerikan ndoshta mendon në këtë linjë kur thotë për rusët e Putinin se po na ndihmon në luftën kundër terrorizmit. Unë po hamendësoj e po ndjek logjikën e analizës sipas këndshikimit tim dhe nuk kam asnjë kontakt me administratën e re amerikane të presidentit Donald Trump. Gjërat mund të marrin tjetër kahje e të zhvillohen në kundërshtim mesa unë po shtroj si opsione të mundshme. Por koha është etaloni i së vërtetës, le të presim.
Nga Presidenti amerikan Donald Trump, gjithashtu është thënë se edhe Bashkimi Europian (BE), mund të mos ketë ndonjë perspektivë të kënaqshme zgjerimi, madje anëtarë të tjerë shpejt mund të largohen prej tij siç bëri Mbretëria e Bashkuar (UK). Nuk është çudi që ky fakt mund të bëhet realitet sepse ka gati 100 vjet (që nga 1920), që flitet për një bashkim të vërtetë europian dhe ai nuk realizohet në formatet e menduara ose si modeli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mosrealizimi i kënaqshëm e funksional i këtij bashkimi vjen për shumë arsye, por mbi të gjitha nga tërheqjet centrifugale e përplasjet që ka nga brenda unionit. Fuqitë e mëdha europiane shpesh janë të prirura të mendojnë me mentalitetin e perandorive të së kaluarës dhe për ndarje të reja të pasurive e interesave në kurriz të më të vegjëlve ose më të dobtëve ekonomikisht. Por jo vetëm kaq, mesa duket Amerika është lodhur me europianët dhe e ka patur shumë të vështirë lidhjen e kontratave ekonomike me to kur shpesh nuk bëheshin dy mendje bashkë të shteteve të BE-së. Parë nga ky këndshikim administrata e re amerikane, mund të bëjë edhe një tip diversion që ta ketë më të lehtë të bisedojë e kontraktojë dyshe me çdo shtet, ashtu siç shkërmoqja e ngadalshme e BE-së mund të ndodhë realisht. Le të presim, koha do të na tregojë.
Por sido që të ndodhë, shqiptarëve nuk u vjen ndonjë e keqe që në programit e tyre perspektiv të venë si synim BE-në. Brendia e këtij synimi do t’i motivonte ata më shumë për t’ju afruar nivelit ekonomik, demokracisë e shtetit ligjor të vendeve të BE-së dhe të bëhej realitet ëndrra e studentëve të ‘90-tës që thoshte se e duam Shqipërinë si gjithë Europa.
Po ashtu mendoj se edhe OKB-ja, ka kohë që është bërë një mekanizëm shumë i rëndë e i pamanovrueshëm. Në shumicën e rasteve një votë kundra nga anëtarët e përhershëm të Këshillit Sigurimit, ka bërë dëme të mëdha e të pariparueshme (kujtoj këtu agresivitetin e disave në çështjen e pranimit të Kosovës në këtë organizatë), por ka edhe qindra shembuj të tjerë. Shpejtësia dhe eficenca në kryerjen e veprimeve në raste emergjencash, ka lënë për të dëshiruar, për të mos thënë se në shumicën e rasteve ka dështuar. Atëherë pyetja shtrohet: a duhet të ndryshojë në strukturë e në përmbajtje ky organizëm kaq i pamanovrueshëm e jo eficient që gëlltit me miliarda dollarë në vit? Unë mendoj se, po duhet të ndryshojë. Po administrata e re amerikane a e ka në plan një gjë të tillë? Nuk e di, por mendoj dhe dëshiroj se po.
Duke e mbyllur këtë optikë gjeostrategjike, do të dëshiroja që Presidenti i 45-të i SHBA-së, Donald Trump, që më 20 janar 2017 mori zyrtarisht detyrën, të ketë sukses në realizimin e platformës së tij për ta bërë Amerikën më të fuqishme e më të begatë në çdo drejtim dhe t’i konsiderojë shqiptarët në trojet etnike, si shteti i 51-të amerikan, sepse ata e meritojnë një gjë të tillë me dashurinë që tregojnë për Amerikën çdo ditë.