Kosovrasti kërkon votimin elektronik në KQZ

Ka patur reagime të forta në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kur kryetari i këtij institucioni Denar Biba kërkon të veshë një xhaketë që i rri e ngushtë. Duke kërkuar të flasë në emër të të gjithë anëtarëve, Biba deklaroi në mënyrë arbitrare pamundësinë e implementimit të votimit elektronik në zgjedhjet e 18 qershorit 2017. I menjëhershëm ka qenë reagimi i përfaqësuesit ligjor të PD, z.Njazi Kosovrasti, i cili kërkoi dorëheqjen e kryetarit, pasi ai nuk mund të fliste gjithashtu në emër të të gjithë anëtarëve të KQZ dhe gjithashtu Biba nuk njihet si ekspert i implementimit të teknologjisë.
Kryetari i KQZ, duke mos iu referuar mendimit të specializuar, deklaroi se votimi elektronik nuk mund të zhvillohet me kohën e mbetur. Madje, ai merr përsipër të vendosë afate kohore të pambështetura në fakte apo në përvojën ndërkombëtare. “Kjo është qesharake, ka thënë z.Biba, nuk mund të ketë votim elektronik pesë muaj nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit, pasi nuk ka kohë”.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i përfaqësuesit ligjor të PD. “Jep dorëheqjen, ka thënë z.Kosovrasti, sepse nuk mund të thoni ju që teknologjia në zgjedhje nuk implementohet. Kjo nuk është detyra juaj ta thoni këtë. Thuaj që s’e bëj dot këtë punë. Ç’punë keni ju a bëhet apo jo?” Në mbështetje të idesë së z.Kosovrasti kanë qenë edhe anëtarët e propozuar nga opozita në këtë institucion. Ka qenë madje nënkryetari i KQZ, z.Hysen Osmani, që ka pyetur z.Biba se nga e kishte informacionin për pamundësinë e futjes së teknologjisë.
Ndërkohë që opozita e ka sjellë votimin elektronik si të vetmen mundësi për garantimin e zgjedhjeve të drejta dhe mbrojtjen e votës së qytetarëve nga grabitja e mazhorancës, kjo e fundit  kundërshton futjen e votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet e ardhshme me pretendimin se nuk ka kohë dhe se duhet opinioni i OSBE-ODHIR, ndërkohë që në parim këto institucione janë shprehur qartë për garantimin e zgjedhjeve, ndërkohë ana teknike i takon palëve të interesuara brenda vendit. Në të vërtetë qeverisë i mungon vullneti politik për një proces të drejtë, të lirë dhe demokratik.