Ballina Sport Kosova mposht Serbinë në Arbitrazhin Sportiv

Kosova mposht Serbinë në Arbitrazhin Sportiv

Kosova korr një tjetër fitore ndaj Serbisë. Gjykata e Arbitrazhit për Sportin (CAS) ka rrëzuar sot apelin e Federatës Serbe të Futbollit kundër pranimit të Kosovës në UEFA.
Pala serbe kërkonte shfuqizimin e vendimit të “qeverisë” europiane të futbollit marrë në Kongresin e 3 majit 2016 në Budapest të Hungarisë, që e bënte Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) anëtaren e 55-të. Pas rrëzimit të këtij pretendimi, Kosova konfirmohet anëtare me të drejta të plota në UEFA.
Në apel, Federata Serbe pretendonte se UEFA shkeli rregullat e veta, duke e pranuar Kosovën, ndaj vendimi duhet quajtur i pavlefshëm.
Në arsyetimin zyrtar të CAS-it të bërë publik të martën thuhet se pala serbe kishte arsye për ta bërë apelimin, pasi Pika 5 (1) e Statutit të UEFA-s ishte e dykuptimtë dhe kishte nevojë për qartësim.
“Kjo pikë parashikon që anëtarësimi në UEFA është i hapur për të gjitha federatat që ndodhen në kontinentin europian, bazuar në një vend që njihet nga Kombet e Bashkuara si shtet i pavarur. Duke qenë se nuk ka një njohje formale nga OKB-ja, paneli i CAS-it e interpretoi Pikën 5 (1) të Statutit të UEFA-s me kuptimin që territori ku ndodhet federata duhet të njihet nga shumica e vendeve anëtare të OKB-së si shtet i pavarur”, thuhet në arsyetim.
Sipas CAS-it, ky kusht është përmbushur nga FFK-ja dhe ky përfundim ishte në një vijë edhe me vullnetin e shprehur nga shumica e federatave anëtare të Kongresit të UEFA-s që e pranoi Kosovën si anëtare. Për pasojë, apeli i Federatës Serbe u hodh poshtë.

Exit mobile version