Klopp konfirmon qëndrimin e Coutinhos te Liverpooli

Barcelona dhe Paris Saint Germain, do të bëjnë çmos për t’ia rrëmbyer Liverpoolit, por pavarësisht ofertave të këtyre dy klubeve të mëdha, me shumë gjasa Philippe Coutinho do të qëndrojë në “Anfield Road”. Drejtuesit e klubit të kuq janë besimplotë se mesfushori i avancuar brazilian, do të rinvojë sërish kontratën e tij aktuale me Liverpoolin, e cila i skadon në vitin 2020. 24-vjeçari është një nga futbollistët më të rëndësishëm te Liverpoolit dhe trajneri gjerman Jurgen Klopp, kurrësesi nuk dëshiron të privohet nga shërbimet e Coutinhos, i cili në shkurt të 2015-ës rinovoi deri në vitin 2020 kontratën e tij me “The Reds”.
Braziliani mungoi për plot 43 ditë për shkak të një dëmtimi dhe mungesa e Coutinhos u ndje jo pak në skuadër, pasi Coutinho i jep një tjetër dimension dhe rrit ndjeshëm forcën sulmuese të Liverpoolit. Qëndrimin e lojtarit të Selecaos te klubi nga “Anfield Road”, e konfirmoi edhe vetë trajneri i Liverpoolit, i cili i mbylli dyert Barcelonës dhe Paris Saint-Germain-it, dy skuadrave që ishin të gatshme të shpenzonin deri në 60 milionë euro për kartonin e lojtarit. “Opinioni im është se Coutinho ndihet mirë këtu, unë shpresoj dhe kam bindjen se e ardhmja e tij do të jetë te Liverpooli. Ai po rritet si futbollist këtu dhe nuk ka asnjë arsye për t’u larguar, deklaroi Jurgen Klopp.