Familja e naftëtarit që tentoi të hidhej nga oxhaku në mes të rrugës

Agim Myrdini, burri që tentoi të hidhej nga lartësia e oxhakut në Rafinerinë e Fierit ndodhet në spital. Ndërsa familja e tij, bashkëshortja dhe dy fëmijët janë në mes të rrugëve. Agim Myrdini tregon jetën e tij tragjike. Pas heroit fshihet tragjedia. Nuk ka një adresë të rregullt banimi, sepse thjesht nuk ka shtëpi. Nuk ka mundur as ta privatizojë apartamentin që përfitoi pas viteve 90′. Ajo shtëpi sot është e pabanueshme
Banesa në rrënim e sipër pranë ish-konviktit të Shkollës Industriale e ka detyruar të marrë shtëpi me qera. Por pas krizës në rafinerinë ku punon iu desh të largohej, duke lënë pa paguar 10 muaj qera.
Me një të kaluar tragjike familjare si vrasja e bashkëshortes së parë nga i biri dhe vetëvrasja e djalit tjetër, ngjitja në oxhakun 40 metra të lartë të rafinerisë, duket një akt që vetëm 59-vjeçari mund ta bënte. Prej dy muajsh është strehuar te i vëllai, por kjo nuk mund të zgjasë përgjithnjë. Është praktikisht pa asnjë zgjidhje.
Ngjarja e një dite më parë ka tronditur rëndë fëmijët e mitur të çiftit Myrdini. Pasojat mund të jenë të pariparueshme për shëndetin mendor të tyre.
Agim Myrdini kërcënoi për 4 orë se do të hidhej nga oxhaku i Rafinerisë së Fierit, nëse nuk i paguheshin pagat e prapambetura. Ai ka punuar për 30 vjet në Rafinerinë e Naftës në Fier. Bashkë me 59-vjeçarin pa paguar dhe pa sigurime janë edhe 150 punonjësit e tjerë të Rafinerisë së Fierit. Kjo e fundit është pjesë e aseteve të ARMO-s situata financiare e së cilës ka 2 vjet që qëndron në prag falimentimi për shkak të taksave të papaguara dhe borxheve ndaj të tretëve.