Ballina Editorial Elitat në krizë

Elitat në krizë

“Monitor”

Pas betimit të së premtes, Donald Trump nuk do të njihet më si “miliarderi amerikan”, por Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Bota dhe vetë amerikanët kanë një ndjesi pasigurie dhe pakënaqësie që analistët e shpjegojnë me temperamentin e tij të spikatur tek “uni”, mungesa e përvojës qeverisëse dhe një qasje, deri diku, agresive për çështje të nxehta globale. Ndoshta vetëm zoti Trump, e di se si do të heqë kostumin e miliarderit e do të veshë atë të presidentit, sesi biznesmeni do të bëhet shtetar. Frika se natyra e parë e Trump do të përcaktojë edhe mënyrën si Amerika do të sillet si shtet e si komb në “erën” e tij presidenciale, kanë krijuar te presidenti i ri personazhin që sjell rrezik.
Donald Trump është zgjedhur nga votuesit amerikanë si njeri që pret të çmontojë oligarkitë politike dhe ekonomike. Në fjalën e tij pas betimit si president, ai nuk ndryshoi asgjë nga ato që premtoi gjatë fushatës. Me thëniet se “ditën që u dorëzua presidenca, në fakt u dorëzua pushteti i elitave te populli dhe jo tek ai”, se “e para është Amerika” apo se “Amerika do të jetë e madhe sërish”, ai premtoi një presidencë që do të trazojë gjërat, ashtu siç e kishte projektuar që në garën elektorale, pa ndryshuar asgjë. Por kjo nuk e bën atë më të rrezikshëm, pasi bota sot po luan me rreziqe më të mëdha sesa “Trump si president”. Nga ana tjetër, nëse do të pranohej e kundërta, atëherë do të rrëzohej miti i Amerikës si vendi që e ndërton demokracinë më të lartë në botë mbi institucionet dhe jo individët dhe kjo del jashtë çdo skenari.
Bota e civilizuar është e përfshirë tashmë në një betejë të armatosur me terrorizimin e në rajone të ndryshme po zhvillohen luftime të ashpra, si në Sirinë e mbushur me viktima, mes tyre shumë civilë e fëmijë. Obama është i vetmi që së paku këto dekadat e fundit është përlotur më shumë se çdo president amerikan përpara publikut, por vetëm gjatë vitit të fundit të mandatit të tij, në zonat në konflikt, ushtria amerikane ka goditur më shumë se çdo herë tjetër.
Po të mos ishte president, Obama mund të kishte menduar ndryshe, por këtë e kërkon Amerika. Ndaj edhe Donald Trump do të bëjë ç’kërkon Amerika dhe jo karakteri i tij, gjë të cilën ai e premtoi edhe ditën kur u betua.
Europa nga përtej Atlantikut është sot në krizën më të madhe të saj politike dhe vendimmarrëse. Me fitoren e Brexit dhe humbjen Renzi-t në referendum, me dobësimin politik të kancelares Merkel dhe rritjen e lëvizjes ksenofobe dhe krahut konservator që kërkon një union më protektiv e ndoshta të copëzuar, BE ndihet e pafuqishme për t’i dhënë zgjidhje krizës së refugjatëve dhe për të shtyrë më tej integrimin e unionit. Amnesty International, në raportin e saj së fundmi, e ka etiketuar BE si një union më diskriminues. Trump kërkoi edhe një koncept të ri për NATO-n, por edhe rishikim të marrëveshjeve tregtare, çka i turbulloi më shumë europianët që nuk dinë se ku kanë kokën.
Më tutje, Rusia me agresivitetin dhe padurimin e saj të madh për t’u njohur dhe për t’u respektuar si një superfuqi botërore, ka krijuar një situatë prag lufte me tension të lartë. As BE dhe as presidenca Obama nuk kanë mundur ta ekuilibrojnë këtë fuqi në lindje, madje në disa raste janë treguar më të dobëta, duke e trimëruar edhe më shumë Rusinë. Por me Trump, Moska duket më e qetë, sepse ai ka premtuar një zgjidhje paketë të çështjeve të gjeopolitikës.
Të gjitha këto rreziqe kanë lindur në një shtrat të rënduar ekonomik e social dhe nga pakënaqësi në rritje të shtresave. Nga Davos doli se më shumë se gjysma e pasurisë së botës zotërohet nga vetëm tetë persona dhe se vendet nuk po arrijnë ta përcjellin rritjen ekonomike te të gjitha shtresat.
Kjo gjendje, ku nuk pritej as fitorja e Trump, as Brexit, është sipas shumë analistëve një kryengritje e popullit kundër elitave, është një dështim i sistemit global. Përderisa këto të ashtuquajtura rreziqe të mundshme që vijnë me Trump do të tentojnë të zhbëjnë faktorët që mbajnë gjallë këtë status quo elitash, dhe këtë sistem të dështuar, atëherë rreziku për popujt nuk ekziston. Këtë Trump e garantoi kur tha se “Amerikanët janë të parët” duke përcjellë mesazhin e një vendi të madh përtej kufijve gjeografikë të tij. Ndoshta mënyra se si zoti Trump kërkon t’i zgjidhë gjërat është ende shumë e panjohur dhe vlen për t’u parë. Por Trump si president e jo më si një “miliarder”, nuk është vetëm, është Amerika dhe pjesa tjetër e botës, që kanë të gjitha mënyrat dhe mjetet për të fituar dhe për të mos humbur, nga ky ndryshim i madh që premtoi presidenti i ri i SHBA-së.
Po ku qëndron Shqipëria? Një kundërvënie e Trump kundër BE-së do të rizgjonte unionin, i cili do të kërkojë të riformatohet e të bëhet më reaktiv. Në këtë rast, Trump do të shërbejë si një antikorp në trupin e të sëmurit. Për Shqipërinë, ky do të ishte një rast i mirë për ftesë, si një thirrje nën armë, për të përshpejtuar procesin e integrimit, duke ditur edhe fakti që marrëveshja e supozuar në pritje mes Trump dhe Putin do ta linte jashtë loje BE-në, edhe nga rajoni ynë ballkanik.
Nga ana tjetër, një president amerikan nuk i ka kapërcyer dot linjat strategjike të përcaktuara në shekuj të shtetit që përfaqëson dhe politikisht, si me demokratët ashtu edhe republikanët me shumicë në Kongres, Shqipëria ka qenë gjithnjë e mbështetur aq sa është kthyer në një faktor përcaktues brenda rajonit të trazuar nga nacionalizmat e vjetra, ndryshe nga BE, e cila ndryshon shpesh standardin nga humori në zyrat e Brukselit. Madje, analizat e sotme mbi marrëdhëniet e pritshme të Trump me Putin e shikojnë si një zgjidhje për njohjen e shqiptarëve të Kosovës në një shtet të pavarur edhe nga Rusia. Megjithatë “Amerika e para”, sipas Trump, a do të jetë mirë edhe për Shqipërinë? Është shumë shpejt për një përfundim.
Por, me pak fjalë, Trump kërkon të lëvizë ujërat tashmë të turbulluar dhe e gjithë bota mund të ketë shansin paskësaj të shikojë më qartë, edhe Shqipëria. Nëse kjo është merita e vetme apo gabimi i madh i biznesmenit që u bë president, mjafton për të mos e parë presidentin Trump si rrezik, por si një mundësi për t’i ndryshuar gjërat, ashtu siç amerikanët tani po mundohen ta shohin, edhe pse ende shumë prej tyre dolën në protestë ditën e inaugurimit të tij, e rrallë kjo për Amerikën.

Exit mobile version