Dybala rinovon me Juven deri më 2021

Paulo Dybala te Juventusi edhe për shumë vite. Pavarësisht interesimit të Realit të Madridit apo Barcelonës, sulmuesi argjentinas nuk e mendon largimin nga kampionët e Italisë dhe dëshiron të jetë pjesë e Juventusit edhe për sezonet që do të vijnë. Në Vinovo ka nisur count-downi për rinovimin e La Hoya-s ose xhevahirit në shqip siç preferojnë ta quajnë ndryshe Dybala-në, fansat e tij. Të enjten ose të premten, ish-lojtari i Palermos do të firmosë zyrtarisht kontratën e re me bardhezinjtë, e cila do të zgjasë deri në vitin 2021.
Nga marrëveshja e re Dybala pritet të përfitojë rreth 7 milionë euro në sezon, një shifër e konsiderueshme për një lojtar 23-vjeçar, por plotësisht e merituar sepse në 1 sezon e gjysmë, ylli argjentinas i ka bërë për vete tifozët e Juventusit dhe jo vetëm, falë magjive që ka dhuruar në fushë. Në kontratën e re palët kanë vendosur të mos përfshijnë asnjë klauzolë largimi, një sinjal i qartë ky se për drejtuesit e Juves, Dybala nuk ka çmim. Sezonin e kaluar Dybala sipas të gjitha gjasave do të mbajë veshur fanellën me numër 10 për të ndjekur gjurmët e një legjende si Alessandro del Piero. Bien kështu hipotezat për një largim të mundshëm të 23-vjeçarit drejt Realit të Madridit në verë.