Dortmund firmos me talentin Isak

Borussia e Dortmundit fiton duelin e merkatos me Realin e Madridit për talentin suedez Alexander Isak. 17-vjeçari që në vendin e tij konsiderohet Zlatan Ibrahimoviç i ri me ngjyrë, i tha jo ofertës të Los Blancos, duke iu bashkuar verdhezinjve. Ndonëse bisedimet mes AIK Solna dhe Realit kishin avancuar ndjeshëm, në fund vendosi dëshira e lojtarit për t’u transferuar në Bundesligë, ku sheh një ambient më të përshtatshëm për të për t’u rritur më tej si futbollist. Isak e kishte të qartë se nën urdhrat e Zidane nuk do të kishte hapësira në formacionin e skuadrës së parë. Precedenti “Odegaard” apo ajo që po ndodh me Iscon dhe James Rodriguez e kanë trembur djaloshin me ngjyrë që t’u bashkohej Los Blancos.
Borussia e Dortmundit pagoi 8 milionë euro adoleshentin e datëlindjes 1999. Një lëvizje e mirëmenduar kjo e stafit teknik të klubit gjerman pasi sulmuesi 190 centimetra i gjatë është një investim shumë i rëndësishmë për të ardhmen. 17-vjeçari sapo hodhi firmën në kontratë u prezantua me fanellën e re për t’iu bashkuar menjëherë skuadrës në stërvitje. Drejtori Sportiv i Borussias së Dortmundit, Michael Zorc deklaroi se Alexander Isak është një talent i madh, i cili kërkonte një klub të rëndësishën europian dhe në fund bëri zgjedhjen e duhur për karrierën e tij.