Do shpenzojnë 40 milionë euro për protesta ndaj Trump më 2017

Nuk ka nevojë të bësh shumë kërkime për të zbuluar se dy grupet që fshihen pas lëvizjes për të vënë në dyshim integritetin dhe vlefshmërinë e presidentit Donald Trump janë të lidhur ngushtë me miliarderin Xhorxh Soros, ndërsa organizata që sapo lëshoi një padi për të sfiduar kushtetueshmërinë e presidencës së Trumpit është e financuar nga Fondacioni Open Society e Sorosit.
Ditën e hënë, Lëvizja e Qytetarëve për Përgjegjësi dhe Etikë në Washington (CREW) bëri një padi ku pretendohet se Donald Trump ka shkelur nenin kushtetues, i cili nuk i lejon zyrtarët e qeverisë të pranojnë benefite nga vende të huaja. “Politico” raporton se: Padia, e mbështetur nga shumë ekspertë të Kushtetutës, pretendon se marrëveshjet e biznesit të Trumpit me vendet e huaja që kanë marrë me qira ambiente në ndërtesat e tij apo kanë financuar me para sipërmarrjet e tij imobiliare, bie në kundërshtim të plotë me klauzolën e shpërblimeve të marra nga vende të huaja.
“Presidenti Trump ka promovuar sloganin e tij: Amerika është e para”, thotë Noah Bookbinder i CREW në një deklaratë. “Kështu duhet të mendohet se ai kërkon që të ndiqet rreptësisht neni kushtetues që ndalon shpërblimet e huaja, duke qenë se është shkruar për të garantuar që zyrtarët e qeverisë të mendojnë fillimisht për amerikanët, jo për qeveritë e shteteve të huaja”. CREW e përshkruan veten si një organizatë që përdor veprime ligjore të impaktit të lartë për të vënë nën shënjestër zyrtarët e qeverisë, të cilët sakrifikojnë të mirën e përgjithshme për interesa speciale.
CREW, e cila nuk e reklamon listën e donatorëve të saj, ka përfituar financime të majme nga Fondacioni Open Society të Sorosit. Sipas një tjetër burimi, “Discover the Networks”, CREW është financuar edhe Fondacioni Tides, gjithashtu i Xhorxh Sorosit.
Në gusht të vitit 2014, aleati i vjetër i Hillary Clinton, David Brock, themelues i grupit progresiv “Media Matters” i financuar nga Soros, u zgjodh si kreu i bordit drejtues të CREW. Brock u largua nga organizata gjatë dhjetorit të kaluar, por “Politico” raportoi gjatë fundjavës se, CREW ishte pjesë e një rrjeti grupesh për të cilët aktivisti po përpiqet të mbledhë një fond prej 40 milionë dollarësh për të rrëzuar Trumpin.
Nga një event i mbledhjes së fondeve në Aventura të Floridës, “Politico” raporton se grupet politike të rrjetit të strategut demokrat, David Brock synojnë të mbledhin 40 milinë dollarë gjatë vitit 2017. Kështu i tha ish-antagonisti i Clintonit i kthyer në aleatin kryesor, 120 donatorëve të mbledhur ditën e dielë. Në grupet e Brocks përfshihet Media Matters, ShareBlue, American Bridge, si dhe CREW, e cila bëri edhe padinë gjyqësore. Sipas donatorëve që merrnin pjesë në event, CREW do të jetë pika kyçe e aktiviteteve të këtij viti.
Ndërkohë, fushata për të zhvlerësuar presidentin Trump nisi zyrtarisht të premten e kaluar pasi miliarderi bëri betimin e tij. Kanali i centralizuar i lëvizjes është faqja e internetit ImpeachDonaldTrumpNow.org, që sipas dokumentacionit të ofruar është duke u drejtuar nga dy grupe kryesore: Free Speech for People dhe RootsAction.
Organizatorët që fshihen pas kësaj fushate, Free Speech for People dhe RootsAction, po e ndërtojnë kauzën e tyre rreth këmbënguljes së Trumpit për të mos hequr dorë nga pronësia e hoteleve të tij luksoze edhe gjatë presidencës. Ekspertët e etikës kanë paralajmëruar se posedimet e tij financiare mund ta shtyjnë drejt shkeljeve kushtetuese dhe mund të dëmtojnë besimin publik në vendimmarrje.
“Nëse do të prisja të shikoja të gjitha efektet negative që mund të sjellë kjo, mund të shihja dëme shumë të mëdha për demokracinë”, thotë Rein Fein, drejtues ligjor i Free Speech for People. “Kjo mund të dëmtojë besimin në institucionet bazë. Asgjë tjetër nuk është e rëndësishme për amerikanët se sa besimi se presidenti po punon për të bërë më të mirën për ta, jo për të hapur një tjetër projekt kazinosh”.
Nëse i shohim më nga afër grupet drejtuese të fushatës të delegjitimimit të presidentit, mund të zbulojmë shumë. Avokati dhe aktivisti John Bonifaz është bashkëthemeluesi dhe presidenti i grupit Free Speech for People. Bonifaz është themeluesi i Institutit Kombëtar të të Drejtave të Votuesve (NVRI), ku ka shërbyer edhe si këshilltar i përgjithshëm dhe drejtues ekzekutiv. Dokumentet zyrtare të NVRI tregojnë qartë se instituti është përfituesi i financimeve bujare dhe mbështetjes institucionale nga 24 donatorë aktualë dhe të shkuar, përfshirë këtu edhe Institutin Open Society të Xhorxh Sorosit.
NRVI financohet edhe nga Fondacioni Tides i Sorosit dhe Fondacioni Joyce, partner i Fondacionit Open Society në shumë projekte. Ish-presidenti Barack Obama ka shërbyer si një anëtar bordi me pagesë në Fondacionin Joyce për tetë vite (1994-2002). Jayce ka qenë financuese edhe për grupin progresiv Media Matters For America të Sorosit.
Lance Lindblom, drejtuesi i grupit Free Speech for People që fshihet pas fushatës së delegjitimimit të presidentit, ka shërbyer më parë si zv.president në Fondacionin Open Society të Sorosit. Emri i Jeff Clements, bashkëthemelues i Free Speech for People, është shfaqur në dokumentet e bëra publike të Fondacionit Open Society.
Grupi tjetër që fshihet pas fushatës së delegjitimimit të Trumpit, RootsAction, drejtohet nga një ekip i vogël i drejtuar nga bashkëthemeluesi, Norman Solomon. Solomon ka themeluar edhe Institutin për Saktësinë Publike, një institut që sipas burimeve është i financuar gjithashtu nga Fondacioni Open Society i Xhorxh Sorosit.