Deulofeu lojtar i Milanit

Tashmë është zyrtare, Gerard Deulofeu, është futbollisti më i ri i Milanit. Klubi kuqezi komunikoi afrimin e sulmuesit të talentuar spanjoll, ndërsa 22-vjeçari përkrah administratorit të deleguar, Adriano Galliani pozoi me fanellën e tij të re. Deulofeu është transferuar te Milani në formë huazimi nga Evertoni deri në përfundim të këtij sezoni. Ish-futbollisti i Barcelonës udhëtoi drejt Milanos mbrëmjen e të dielës, ndërkohë që mëngjesin e të hënës kaloi me sukses edhe vizitat mjekësore. Deulofeu ishte përforcimi që kërkonte trajneri Montella për sulmin. Te kuqezinjtë ai do të ritakohet me Suso-në dhe Baccën. Me të parin ka luajtur te përfaqësuesja U-21 e Spanjës, ndërsa me sulmuesin kolumbian kanë qenë bashkë te Sevilla. Montella shpreson ta ketë të gatshëm lojtarin që për sfidën e të mërkurës ndaj Juventusit e vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Italisë. Deulofeu te Milani do të mbajë veshur fanellën me numër 7, ndërkohë që mund të jetë një alternativë shumë e vlefshme në treshen e sulmit përkrah Suso dhe Baccës, duke parë formën e dobët që po shfaq Niang gjatë kësaj periudhe.