Detyrimet që duhet të tregojë Fredi

Edmond SPAHO

Unë të besoj ty Fredi pavarësisht përpjekjeve për ta paraqitur këtë si sulm i PD për të tërhequr vëmendjen nga CEZ. Unë të besoj ty Fredi që ke marrë pagë 10 milionë lekë të vjetra në muaj përfshirë bonuset, përfitimet nga reklamat, shpërblimet, etj. Unë pranoj që lekët i ke nga rrogat në 14-15 vite. Por para se ta bësh të besueshme për publikun historinë tënde duhet t’i qartësosh jo sa ke fituar nga interesat por:
1. Sa kanë qenë të ardhurat e tua përfshirë bonuse, shpërblime, të ardhura nga reklamat, etj., për çdo vit në mënyrë që t’i mbledhim dhe të dalim tek shifra juaj.
2. Unë nuk kam fakte që paratë e tua janë me origjinë nga korrupsioni, por unë kam të drejtë të të pyes sa taksa ke paguar ti ose stacionet televizive ku ke punuar për llogarinë tënde. Sipas ligjit nga viti 2004 kur ke hapur depozitën deri në vitin 2007 duhet të paguaje 23% taksë për pagën dhe 10% për të ardhurat e tjera. Pas vitit 2007 deri në vitin 2013 për të dy kategoritë duhej të paguaje 10%. Në këto kushte Fredi na nxirr dokumentat që ke paguar në organet tatimore këto taksa dhe ne të besojmë ty. Ti Fredi rastësisht dole në dritë për të ardhura të pajustifikuara, por ajo që rëndon mbi ty pas këtyre që na sqarove është pyetja sa taksa ke paguar ti Fredi, sepse sipas disa llogarive trashë e trashë që bëj mund t’i kesh përlarë shtetit rreth 150-200 milionë lekë. E di si e ke bërë këtë Fredi? Rrogën e deklarojë 800 mijë lekë të vjetra si djalë kovaçi dhe si në rastin e pensionit ushqimor që i paguan fëmijës, dhe me këtë “rrogë” ke paguar edhe taksat, kurse në xhep dhe në bankë fusje 10 milionë lekë të vjetra si djalë beu, aq sa ishte rroga reale që na e thua sot. Dhe ke të drejtë në një gjë që këtë “punë” e kanë bërë të gjithë gazetarët me rroga stratosferike të cilet sot nuk flasin dot. Para se të flasësh për sulmin politik të PD për të tërhequr vëmendjen nga çështja CEZ na nxirr këto dokumenta dhe unë do të besoj ty Fredi. Nuk të sulmon PD ty Fredi, por je ti dhe plot të tjerë si ti që sa herë kapen me presh në duar justifikohen se i sulmon PD për qëllime politike. E për çfarë të të sulmojmë ty politikisht Fredi? Nëse do ta bënim këtë ti vetëm dy premtime ke bërë, që do ndërtoje stadium në Peqin dhe që do binjakëzoje ekipin e Peqinit me Lacion? Për këto jo vetëm Peqini, por edhe Edi Rama qeshi kur të dëgjoi t’i shpallje si premtime elektorale. Fredi me këto që ke deklaruar këto ditë nuk akuzohesh për korrupsion, sepse për këtë duhen fakte, por akuzohesh për evazion fiskal, i cili është krim edhe më i rëndë.