Avancojnë Senegali dhe Tunizia

Pas eliminimit të vendit mikpritës të turneut, Gabonit të Aubameyang, Kupa e Afrikës humbet një tjetër skuadër që në vigjilje të saj renditej ndër favoritet. Bëhet fjalë për Algjerinë me lojtarë të njohur si Brahimi, Ghezzal, Slimani e Bentaleb. Eliminimi djeg shumë për algjerianët, pasi nuk ia dolën të mposhtnin Senegalin që ishte kualifikuar duke u rikuperuar dy herë pas avantazhit të firmosur nga lojtari i Leicester Slimani. Përfundoi në barazim 2-2, por edhe një fitore nuk do të kishte shërbyer shumë pasi në Libreville, Tunizia shkatërroi 4-2 Zimbabuen, skuadrën e fundit të grupit duke rrëmbyer vendin e dytë, pas Senegalit.
Një ndeshje pa shumë histori ajo e Tunizisë që futi fitoren në kasafortë që në pjesën e parë falë golave në pjesën e parë të firmosur nga Sliti, Msakni, Khanissi dhe Khazri që shënoi nga pika e bardhë e 11 metërshit. Kur rezultati ishte 3-0 Zimbabue shkurtoi distancat me Musona, ndërsa në pjesën e dytë Ndoro vulosi rezultatin final 4-2. Ndeshja e Tunizisë influencoi edhe në rezultatin e Algjeri–Senegal pasi algjerianëve ju prenë gjunjët kur morën vesh që Tunizia kryesonte 3-0. Dy golave të Slimanit ju përgjigjën në fillim Diop, pastaj Musa Sow. Në fund Algjeria provoi gjithsesi të siguronte një fitore nderi, por Senegali rezistoi. Në çerekfinale Tunizia do të ndeshet me Burkina Fason, ndërsa Senegali gjen përballë Kamerunin.
Kosi Agasa është një legjendë në përfaqësuesen e Togos. Portieri 39-vjeçar luan me këtë kombëtare që nga viti 1998, duke qenë gjithmonë zgjedhje e parë në katërkëndorin e saj. Por gabimet në ndeshjen e humbur me shifrat 3-1 kundër Marokut, që thuajse zhduku çdo shans kualifikimi për Togon, bënë që tifozët të shpërthenin në kritika kundër tij. Por disa prej tyre kaluan nga faktet në vepra.
Sipas mediave afrikane, një grup tifozësh të irrituar pas humbjes në të cilën portieri gaboi në dy gola të kundërshtarëve, i kanë shkatërruar shtëpinë e tij në Lome, kryeqytetin e Togos. Një situatë e tillë ka krijuar pakënaqësi jo vetëm te lojtari, i cili parashikohet të qëndrojë pushim në ndeshjen e tretë në grup ndaj Kongos, por edhe te shokët e tij të skuadrës, të cilët tani frikësohen se do të përballen me të njëjtat pasoja nëse gabojnë.