Shullazi, ballafaqim në Gjykatë për gjobëvënien 550 mijë euro

Emiljano Shullazi dhe banda e tij do të përballen në Gjykatë me biznesmenin Ylvi Beqja për gjobëvënien 550 mijë euro. Më 27 janar, me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata ka vendosur të marrë në pyetje biznesmenin Ylvi Beqja në lidhje me kërcënimet, shantazhet dhe gjobat që është detyruar t’i paguajë bandës së drejtuar nga Shullazi. Dëshmitari i mbrojtur i drejtësisë, Ylvi Beqja do të përballet në Gjykatë me Emiljano Shullazin dhe të akuzuarit si pjesëtarë të bandës së tij. Ky ballafqim, pritet të ndodhë për herë të parë mes Shullazit dhe Beqjas, që kur ky i fundit ka pranuar të bashkëpunojë me Prokurorinë, duke rrëfyer kërcënimet, shantazhet dhe pagesat në formë gjobe që ka bërë për llogari të bandës së drejtuar nga Emiljano Shullazi.
Bëhet e ditur se gjyqtari Dritan Hallunaj ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për të marrë në pyetje para 5 gjyqtarëve të kësaj Gjykate, dëshmitarin e mbrojtur të drejtësisë në lidhje me rrëfimin e tij për krimet e Shullazit. Kjo dëshmi, thonë prokurorët, do të bëhet në këtë fazë, në formën e garancisë që dëshmia e Ylvi Beqjas të mos ndryshojë, pavarësisht zgjatjes së afatit hetimor apo gjyqësor ndaj grupit të të dyshuarve.
Me pranimin e kërkesës për të kryer sigurimin e provës, kancelaria e Gjykatës së Krimeve të Rënda, me anë të shortit me gogla do të caktojë 5 gjyqtarët, të cilët më datën 27 janar në ora 11:00 të paraditës do të pyesin Ylvi Beqjan për krimet e Shullazi dhe bandës së tij. Sipas Prokurorisë, janë njoftuar edhe të dyshuarit e arrestuar Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endri Zela dhe Endri Qyqja për këtë ballafqim që do të zhvillohet paraditen e 27 janarit. Nuk dihet, se kush nga të dyshuarit do të jetë i pranishëm në sallën e gjyqit, ku do të kenë të drejtën edhe të pyesin dëshmitarin e mbrojtur Beqja apo edhe t’i përgjigjen akuzave të tij. Kjo seancë, mësohet se do të regjistrohet me zë dhe me shkrim, pasi ky ballafaqim do të përdoret më pas edhe në procesin gjyqësor që do të zhvillohet ndaj të dyshuarve.
Bashkëpunëtori i drejtësisë Ylvi Beqja, ka rrëfyer me detaje para prokurorëve, të gjithë kalvarin e proceseve gjyqësore për të marrë ish-hotel “Vollgën” si përfaqësues i kompanisë arabe. Si dhe ka treguar njohjen dhe takimet me Emiljano Shullazin dhe dhunën e kërcënimet që ky i fundit i ka bërë, duke detyruar të paguajë në formë gjobe rreth 550 mijë euro cash.
Burimet thonë se biznesmeni tashmë i mbrojtur, ka treguar se si pasojë e kërcënimeve dhe dhunës është detyruar t’i paguajë Shullazit dhe pjesëtarëve të bandës së tij rreth 400 mijë euro cash. Para këto që janë provuar se i ka tërhequr nga bankat e nivelit të dytë në disa raste, duke ia dorëzuar pjesëtarëve të bandës së Shullazit. Por, pas dorëzimit të kësaj shume, Beqja ka treguar se për të lënë gjurmë, ka kërkuar që pagesat e tjera të bëheshin me çeqe me arsyetimin se nuk e lejonte kompania që të tërhiqte para cash. Të ndodhur në këto kushte, Shullazi ka pranuar kërkesën e tij, duke ia dorëzuar tre emrat e të besuarve të tij, si personat në emër të cilëve do kalonin paratë.
Biznesmeni Ylvi Beqja ka lëshuar dy çeqe me një vlerë rreth 70 mijë euro në emër të Gilmando Danit, krahut të djathtë të Emiljano Shullazit,. Para të cilat, rezulton se janë tërhequr më pas nga banka e niveli të dytë nga vetë i dyshuari Dani. Po me kërkesë të Shullazit, biznesmeni Beqja ka lëshuar edhe dy çeqe të tjera për nipin e tij tashmë të arrestuar Endri Zela, i cili rezulton nga banka e nivelit të dytë se ka thyer çeqet, duke tërhequr shumën e 50 mijë eurove. Veç Danit dhe Zelës, mësohet se Prokuroria ka provuar se edhe Endri Qyqja, i besuari tjetër i Shullazit, ka thyer një çek me vlerë rreth 16 mijë euro që biznesmeni Beqja e ka lëshuar në emër të tij në formën e pagesës së gjobës. Të gjitha këto pretendime janë pasqyruar në kallëzimin që Beqja ka dhënë para hetuesve me cilësinë e dëmtuarit që tashmë ka marrë statusin e dëshmitarit të mbrojtur të drejtësisë.

R.POLISI