Rama fshehu 1 milion USD financim të PS më 2013-ën

Armand MAHO

Rilindja është një parti sheikësh jo vetëm kur është në pushtet, por dhe kur është në opozitë. Sipas raporteve të dërguara në KQZ, për vitin 2013, selia mavi rezulton me shpenzime marramendëse dhe këtu duke iu referuar atyre çka ka deklaruar vetë. Sipas deklarimeve të saj, vetëm për fushatën elektorale përgjatë këtij viti janë shpenzuar nga PS rreth 1 milion euro shumë se sa ka akorduar buxheti i shtetit. Dhe po t’i shtohen dhe shpenzimet për partinë kjo shumë arrin në 1.6 milionë euro më shumë se sa ajo që Partia Socialiste duhej të shpenzonte në zgjedhjet e këtij viti ose se sa shpenzon në një vit normal. Të paktën kështu ka deklaruar ajo vetë në raportin e dërguar për KQZ në këtë vit. Donacionet sipas asaj çka deklaron PS kanë qenë në shumën e papërfillshme të 1 milion lekëve të reja. Pra, për një fushatë sipas asaj çka deklarohet janë vetëm dy persona që kanë dhuruar nga 500 mijë lekë secili…

Viti 2013

Në vitin 2013 financimi nga buxheti i shtetit ka qenë diçka më shumë se 727 milionë lekë të vjetra për shpenzimet vjetore të partisë dhe 260 milionë lekë për fushatën, pra rreth 1 miliard lekë. Por shpenzimet siç shihen kanë qenë në rreth 2 herë më të larta ose 2.77 miliardë lekë. Vetëm në zërin e shpenzimeve të fushatës Rilindja ka shpenzuar rreth 1 miliard e 870 milionë lekë që është pra, 1.5 miliardë  më lart se ajo që ka akorduar shteti për këtë qëllim. Më tej këtij 1 miliardëshi i shtohen dhe 1 miliard të tjera, dhe shifra e përgjithshme shkon në 2.79 miliardë lekë. Nga këto justifikohen vetëm 100 milionë të marra overdraft dhe 10 milionë të vjetra gjithmonë të ardhura nga donacionet. Pjesa tjetër e shpenzimeve pra, diku tek 1.6 miliardë lekë mbeten të pazbardhura nga ana e PS-së. Vetëm në zërin shpenzime udhëtim, hotele dhe dieta, Rilindja për vitin 2013 deklaron 120 milionë lekë, aq sa është gjysma e financimit nga buxheti i shtetit për të gjithë fushatën. Shifra e shpenzuar për vitin 2013 nga Rilindja është më shumë se 2.5 herë më e lartë se shifra e shpenzuar nga Partia Demokratike në të njëjtin vit, e cila deklarohet në shumën e 96 milionë lekëve, nga të cilat 94.5 milionë lekë janë dhënë nga buxheti i shtetit në atë kohë. Pra, Rilindja një parti në opozitë kishte luksin që të shpenzonte 2.5 herë më shumë se partia në pushtet!

Aleanca e qelbësirave

Këto janë shifrat e dhëna zyrtarisht nga PS, por mendohet se shuma e shpenzuar të jetë shumë herë më e madhe. Por në vitin 2013 u bë një thirrje nga ana e një analisti pranë të majtës, i cili kërkonte angazhimin e të “gjithë qelbësirave” për të rrëzuar pushtetin e atëhershëm. Edi Rama e përqafoi më së miri këtë devizë, duke vendosur njerëz të lidhur me krimin deri në instancat më të larta shtetërore. Në fakt, po t’i rikthehemi fushatës së PS-së dhe parasë që u hodh për blerjen e votës asokohe shifrat mund të jenë të frikshme… Tam-tamet e Rilindjes kishin një kosto të pallogaritshme dhe bota e krimit e klientët e Ramës që nga koha e Bashkisë do i paguanin ato si një investim që do të shumëfishohej kur të vinin në pushtet. Dhe në fakt ja ku jemi vetëm një vit përpara se rilindja të lërë pushtetin. Donatorët e djeshëm kanë marrë thuajse çdo gjë me vlerë të këtij vendi. Ata janë ata që marrin koncesionet, tenderat e çdo gjë tjetër. Edi Rama po i fut çdo ditë shqiptarët në borxhe, për të marrë para me qëllim që t’ia shpërndajë klientëve të tij, me PPP në shëndetësi e kudo. Sipas parashikimeve në vitin 2017, do të merren dhe 24 miliardë lekë të tjera borxh duke e çuar borxhin që qeveria ka marrë për çdo shqiptar në 4 milionë lekë ose në 16 milionë lekë për çdo familje me katër anëtarë. Bota e krimit nga ana tjetër ka trafikun e drogës. Shqipëria cilësohet si një ndër vendet furnizuese kryesore të narkotrafikut. Mendohet që vetëm gjatë vitit 2016 të jenë trafikuar diçka më shumë se 5 mijë tonë drogë, ndërkohë që 15 tonë fara kanabisi kanë hyrë vetëm në dhjetorin e vitit të kaluar gati për mbjelljet e pranverës.