Plagoset me thikë nxënësi i një shkolle në Durrës

Një nxënës i shkollës 9-vjeçare “Bedrie Bebeqizi” në qytetin e Durrësit u godit me thikë dje në drekë në ambientet e shkollës. Sipas burimeve, Alesio Sulejmani, 15 vjeç u qëllua me thikë në shpatull dhe në krah rreth orës 13:35 brenda ambienteve të shkollës. Nxënësi i plagosur u dërgua menjëherë në Spitalin e Durrësit, ku ndodhet në reanimacion. Nuk dihen rrethanat e kësaj ngjarjeje, por sipas nxënësve të tjerë ka patur një sherr midis dy bashkëmoshatarëve, menjëherë pasi kanë dalë nga mësimi.
Nuk dihet ende shkaku i këtij sherri që çoi në plagosjen e adoleshentit, por nxënësit e shkollës kanë përjetuar momente tmerri e paniku. Policia tha se po heton për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa autori nuk është kapur akoma.
Roja i shkollës, tha se ngjarja ndodhi kur mbaroi ora e 6-të e mësimit dhe nxënësit po dilnin jashtë shkollës. Nxënësit kanë parë rrëmujë dhe më pas adoleshentin në gjak. “Mbaroi ora e 6-të, në orën 1:15 dolën kalamajtë dhe unë po nxirrja fëmijët, kaq. Nuk pashë asnjë veprim, asgjë. Përjashta po, lajmëruam direkt policinë. E mori drejtoresha direkt e çoi në spital. Se qëlloi në moment këtu. Në shpatull, vetëm dilte gjak e pamë”, deklaroi roja i shkollës.