Përplasje me armë në Elbasan, plagoset me plumb 67-vjeçarja

Një grua është plagosur me armë zjarri mesditën e djeshme në Elbasan. Sipas burimeve të policisë, ngjarja ka ndodhur në lagjen ‘5 Maji’. Bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në një kohë kur në rrugë kishte shumë lëvizje dhe ka krijuar frikë dhe panik tek qytetarët.
E moshuara Besihane Doçi është qëlluar me një plumb në gjoks, ndërsa i janë dëmtuar organet jetësore. 67-vjeçarja është transportuar me urgjencë për në Spitalin e Elbasanit në gjendje kritike për jetën dhe më pas është dërguar në QSUT.
Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, plumbat kanë ardhur nga një makinë, e cila më pas është larguar me shpejtësi. 67-vjeçarja ndodhet në QSUT, ndërkohë që policia ende nuk ka asnjë pistë të qartë se cili ka qenë objektivi i sulmit dhe autorët.
Sipas policisë, dyshohet se plagosja ka ndodhur pas një konflikti banal. Burimet nga vendi ngjarjes bëjnë të ditur se, në kohën kur në rrugë po kalonte Doçi, disa persona po konfliktoheshin mes tyre.
Fill pas kësaj, banorët kanë dëgjuar të shtëna me armë dhe kanë parë të mbuluar me gjak gruan e moshuar. Policia ka marrë njoftim nga spitali për një grua, e cila është paraqitur e plagosur me armë zjarri dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Policia e Elbasanit bëri të ditur se ka shkuar menjëherë në vendngjarje, pasi është njoftuar dhe ka nisur hetimet, ndërsa bëhet e ditur se të paktën dy nga personat e përfshirë në konflikt janë larguar me shpejtësi në drejtime të ndryshme. Në vendngjarje janë gjetur dy gëzhoja plumbi pistolete.