Netanyahu, miku i ri i Donald Trump

Bethan McKernan

Një zyrtar i lartë i Izraelit ka lavdëruar përzemërsisht presidentin e ri amerikan, Donald Trump dhe e ka quajtur Izraelin “një mik të vërtetë të Shtëpisë së Bardhë” duke sinjalizuar kështu një transformim dramatik të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve pas ftohjes së madhe gjatë viteve të administratës Obama. Tzipi Hotovely, zv.ministër i Çështjeve të Jashtme të Izraelit tha se vendi i tij ishte tepër i lumtur me administratën e re pas një bisede telefonike ndërmjet presidentit Trump dhe kryeministrit Netanyahu.
Teksa fliste për “BBC Radio 4”, ditën e hënë, Hotovely tha: “Mendoj se të gjitha deklaratat e administratës Trump shfaqin miqësinë e thellë me Izraelin. Ata e kuptojnë kompleksitetin e situatën në Lindjen e Mesme, në një botë ku çdo gjë po shembet përreth nesh”.
“Duke qenë se Izraeli vazhdon të mbetet i vetmi vend demokrat në rajon, Shtetet e Bashkuara kërkojnë ta mbajnë atë në gjendjen më të mirë të mundshme”. Në bisedën e ngrohtë telefonike të zhvilluar ndërmjet liderit amerikan dhe izraelit, Trump dhe Netanyahu duket se kanë biseduar rreth ushtrisë, sigurisë dhe bashkëpunimit të inteligjencës ndërmjet dy vendeve aleate, thuhet në një deklaratë të zyrës së kryeministrit Netanyahu, përfshirë edhe kërcënimin që vjen nga Irani, i cili është zotuar se do ta shkatërrojë Izraelin.
Presidenti Trump ka thënë gjatë fushatës së tij zgjedhore se do të përpiqej të modifikonte marrëveshjen ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara në të cilën Irani ka rënë dakord të frenojë programin bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike. Ai nuk e ka bërë të qartë pozicionin e tij që pas fitores së presidencës apo hyrjes së tij në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti i ri amerikan ka këmbëngulur duke thënë se paqja ndërmjet Izraelit dhe Palestinës mund të negociohet vetëm ndërmjet dy palëve, duke përsëritur vazhdimisht qëndrimin e tij se palestinezët duhet të njohin vlefshmërinë e shtetit çifut për procesin e paqes dhe që të vendoset në tavolinë një mundësi paqeje.
Një deklaratë tjetër e Shtëpisë së Bardhë tha se, administrata është në fazat e para të diskutimit të spostimit të ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem – një sugjerim i cili i ka inatosur mjaft palestinezët, të cilët e pretendojnë qytetin si kryeqytetin e tyre.
Gjatë kursit të administratës Obama, marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit u ligështuan së tepërmi. Kulmi i ftohjes u arrit në muajin dhjetor kur ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Samantha Power, abstenoi gjatë votimit të rezolutës së Këshillit të Sigurimit duke dënuar aktivitetin e Izraelit në Bankun Perëndimor. Veprimi ishte një shkëputje simbolike nga politika e jashtme amerikane e së shkuarës kur vetoja përdorej për të mbrojtur, jo për të sfiduar Izraelin.
Administrata Trump duket se ka një ton shumë më të ngrohtë kundrejt aleatit të vjetër të Shteteve të Bashkuara, duke emëruar një ambasador të ri proIzraelit, David Friedman dhe duke ftuar të gjithë grupet që mbrojnë aktivitetin e Izraelit në ceremoninë e inaugurimit javën e kaluar. Ditën e dielë, Komuna e Jeruzalemit deklaroi ndërtimin e 566 shtëpive të reja në zona të Jeruzalemit të pushtuar, duke theksuar se lejet e ndërtimit ishin vonuar nga autoritetet në pritje të largimit të Obamës nga presidenca.
Kryeministri izraelit është ftuar në Shtëpinë e Bardhë në muajin shkurt për një takim ballë për ballë, i cili do të jetë një prej takimeve të para të presidentit Trump me një tjetër lider të lartë që pas marrjes së detyrës. Gjatë fushatës zgjedhore të Donald Trump shumë çifutë amerikanë dhe izraelitë kanë shprehur shqetësim mbi ato që janë perceptuar si komente antisemite nga presidenti, por duket se shqetësimet e tyre kanë qenë të kota.
Kryeministri Netanyahu ka shprehur përgëzimet e tij të përzemërta për fitoren e Trumpit në muajin nëntor, por vendosi të mos komentojë publikisht përpara se presidenti i ri të marrë detyrën. Pas ceremonisë së inaugurimit, duket se gjërat shkojnë më së miri ndërmjet dy liderëve të vendeve aleate.