Naftëtarët, protestë kërcënuese, Besniku i Ramës nuk u jep rrogat prej 4 muajsh

Një punonjës i Uzinës së Përpunimit të Naftës në Fier ka tentuar të hidhet nga oxhaku për shkak të mosmarrjes së pagës prej 4 muajsh. Punonjësi që hipi mbi oxhakun e lartë rreth 40-50 metra, 62-vjeçari Agim Myrdini, sipas kolegëve ka 30 vjet që punon në UPN. Ai ka qëndruar më shumë se 2 orë mbi oxhak, dhe megjithë lutjet e familjes dhe negociimin e përfaqësuesit të Rafinerisë, ai nuk ka pranuar të zbresë. Vetëm pasi i është premtuar nga përfaqësuesi i Rafinerisë se do t’i paguheshin 4 rrogat e pa marra, ai ka pranuar të zbresë nga oxhaku.
Për këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe ish-Kryeministri Berisha. “Kjo është mafia e pamëshirë e naftës! Rama me Besnikun e tij dërgojnë drejt vetëvrasjes punëtorin e Rafinerisë së Ballshit. Katër muaj nuk kanë dhënë rrogat, nuk ka bukë për fëmijët. Ndërkohë që në uzinë janë përpunuar dhjetëra mijëra ton naftë! shkruan Berisha në një postim në Facebook.
Myrdini mbante edhe një shishe benzinë, ndërsa qëndronte mbi oxhak, duke kërcënuar se do t’i vinte flakën vetes. Mes lotësh e britmash, djali i vogël i Agim Myrdinit, i bëri apel të atit të zbriste nga oxhaku i Rafinerisë së Naftës, prej nga kërcënon se do të hidhet. Myrdini ka pranuar të zbresë nga maja e oxhakut vetëm pasi mori premtimin se do t’i paguheshin 4 rrogat e pamarra. Në vendngjarje kanë shkuar edhe forcat e policisë, duke i kërkuar naftëtarit që të zbriste, por ai është përgjigjur “jo”, “jo”.
Shkaku i kësaj proteste kërcënuese lidhet me mosmarrjen e pagës prej disa muajsh. Kolegët e tij thanë se, “ai është më i përvëluari” mes tyre. “Ai ka tërë jetën që vuan, gruaja e parë i vdiq, gruaja e dytë i vdiq, djali i vdiq. Ai është copë-copë. Ai është më keq nga neve, ne jemi prapa tij”, thotë një koleg i tij.
“Kemi që në tetor që s’kemi marrë rroga. Mirë tani në janar që s’ka rroga se ka ikur ai pronari. Por muajt e tjerë janë përpunuar mijëra ton karburante e janë shitur”, deklarojnë nën zë punëtorët.
“Na iku jeta luftë, 50 vjet me Enverin. Ça demokracie, nuk ka as shtet, asgjë. Të japë një sqarim, ne jemi familjarë. Kemi kalamajtë për bukë. Jo ky i PD-së, ky i PS-së, boll luftë, duam të ushqejmë fëmijët”, thonë disa të tjerë.
Problemi i këtyre punëtorëve ka qenë i vazhdueshëm. Kanë pasur edhe më parë probleme me pagat, por pas protestave kanë marrë një pjesë të pagave. Janë rreth 150 punëtorë të kësaj rafinerie që nuk janë paguar prej 4 muajsh. Po ashtu, punëtorët kanë mbi 18 muaj që nuk iu paguhen as sigurimet shoqërore.
Përmes një deklarate, deputeti Dashi u shpreh se, “Kryeministri Rama, me marrjen e pushtetit, hoqi nga puna 600 punëtorë të Rafinerisë, ndërsa askush nuk çan kokën për naftëtarin që tenton të hidhet nga oxhaku”.
“Tani që flasim 150 punëtorë të Rafinerisë janë në grevë, pasi nuk i paguajnë sigurimet, ndërsa punonjësi Agim Myrdini, është në majë të oxhakut dhe asnjë nuk e çan kokën për të”, tha deputeti Kozma Dashi.
Agim Myrdini, së bashku me rreth 150 punonjës prej kohësh kanë kërkuar tre muajt e papaguara të pagave, si dhe 15 muaj sigurimet e paguara veç këtyre, punëtorët nuk kanë asnjë informacion as për fatin e Rafinerisë, tek e cila kanë një jetë që punojnë.
Deputeti i Partisë Demokratike, Kozma Dashi ka reaguar pas ngjarjes në Uzinën e Përpunimit të Naftës në Fier, ku një punonjës ka kërcënuar se do hidhej nga oxhaku, për shkak të mosmarrjes së pagës prej 4 muajsh.