Kreu i AMA-s, Sala pasuri 10 herë më shumë se të ardhurat

Në radhët e rilindasve ka plasur një epidemi e madhe pasurimi. Pasurim ekspotencial i papërputhshëm me të ardhurat e deklaruara dhe mesa duket i paligjshëm. Për Komisionin e Edukimit dhe Medias, deputetë të shumtë të majtë e të djathtë ngritën shqetësimin e skandalit të fundit, kryetarit të AMA-s, Gentian Sala, i cili në çift ka të ardhura 17 mijë euro dhe për një vit në detyrë ka bërë 170 mijë euro, pra fiks 10 herë më shumë. “Kjo gjë ka nevojë të sqarohet dhe ne nuk duam të ngrejmë akuza, por ne duam që kjo çështje të hetohet. Dhe ne duam që ILDKP dhe Prokuroria ta hetojë, prandaj kërkuam që Komisioni si institucion t’i drejtohet ILDKP dhe Prokurorisë. Deputetët e PS ishin të vetmit që nuk e pranuan këtë kërkesë. Kjo është një çështje që do të diskutohet dhe në mbledhjen e nesërme. Unë shpresoj që ata të reflektojnë dhe nesër të firmosin kërkesën që, çështja e pasurisë të paligjshme të kryetarit të AMA-s, Gentian Sala, të shqyrtohet.
Kisha edhe një kërkesë për zotin kryeministër, i cili u prononcua në një rast të ngjashëm, tha se nuk janë vënë këto pasuri gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, pavarësisht se numrat treguan probleme të tjera. Në rastin konkret, kjo pasuri është vënë në vitin e parë, ne nuk e dimë për vitin e dytë. Dhe do i kërkoja zotit Rama të prononcohet dhe në këtë rast, sepse kjo pasuri është dhjetëfishuar vitin e parë në detyrë dhe të shikojmë se çfarë do të na nxjerrë viti i dytë”, tha kryetari i Komisionit të Medias, Genc Pollo.

A lidhen licencat me pasurinë e Genti Salës?

Komisioni i Medias, është përfshirë sot në debat lidhur me dhënien e licencave dixhitale dhe pasurimi “e papritur” të kreut të Autoritetit të Mediave Audiovizive, Gentian Sala. Mësohet se komisioni ka marrë vendimin që ditën e mërkurë Gentian Sala të raportojë për këtë skandal në Komisionin e Medias. Kryetari i Komisionit të Medias, Genc Pollo, deklaroi se nuk mund të lejohen skandale të tilla me AMA. Sipas deklaratave të deputeteve të opozitës kreu i AMA ka dhjetëfishuar pasurinë e tij familjare që kur ka nisur punë në Autoritetin e Mediave Audiovizive. Ai shpesh është akuzuar për veprime klienteliste, duke favorizuar krijimin e monopoleve në fushën e transmetimit dixhital.
Gjithashtu, ai është akuzuar se aty ku nuk ka interesa nuk heziton që të diskriminojë deri edhe në kërcënim me mbyllje televizioni. Ka qenë Shoqëria Civile që ka ngritur zërin para pak ditësh kundër kërcënimeve që Genti Sala ka drejtuar ndaj televizionit “Ora News” dhe një televizioni tjetër. Nga ana e saj, Prokuroria ka marrë komplet materialet e mbledhjes së fundit të AMA pas akuzave ndaj kryetarit të saj Genti Sala. Megjithatë gjatë hetimit ka dalë një fakt tjetër se pasuria e familjes Sala është dhjetëfishuar gjatë kohës që ai ka qëndruar në këtë pozicion. Ky lajm tashmë hedh dyshime edhe në rrugën se si ai ka favorizuar disa duke sulmuar disa të tjerë. Dyshimet kanë të bëjnë me përfitime materiale në rrugë të jashtëligjshme.

Si u pasurua brenda 1 viti, gruaja e Gentian Salës?

Pasurimi i beftë i Kryetarit të AMA-s dhe bashkëshortes së tij me 164 mijë euro gjatë vitit të parë në detyrë (dhjetor 2015-dhjetor 2016), ndërkohë që të ardhurat vjetore të deklaruara të të dyve bashkë janë vetëm 17 280 euro.
Gentian Sala u emërua si Kryetar i Autoritetit te Mediave Audio Vizive në 06.11.2014. I detyruar nga funksioni i ri ai ka deklaruar pasurinë për vitin 2015 një periudhë e rëndësishme për të në karrierë, pasi institucioni që ai drejton, ka një rol dominues në tregun mediatik në prag të licencimit të operatorëve televizivë me licenca kombëtare dixhitale. Por a është prekur Gentian Sala, kryetar i Autoritetit të Mediave Audivizive, nga interesat e botës mediatike dhe politike.
Në formularin e deklarimit te pasurisë të vitit 2015, Gentian Sala ka deklaruar se zotëron një apartament në zonën e ish-Bllokut, njëkohësisht edhe 4700 m2 tokë arë në Krujë – Mazhë e Madhe.
Çuditërisht sapo vihet në krye të AMA-s familjarët i dhurojnë një orë Perrelet Chronograph GMT Skeleton, e cila kushton 19 mijë dollarë, ose e konvertuar në lekë rreth 25 milionë lekë.
Në formularin e deklarimit te pasurisë ka një kolonë të veçantë, ku duhet përshkruhet në mënyrë të hollësishme lloji i dhuratës, vlera dhe identiteti i personit që e ka bërë dhuratën.
Por Gentian Sala e ka lënë bosh vendin e këtij përshkrimi, kur bëhet fjalë për orën, një markë e kushtueshme. Pranon se e ka dhuratë për martesë nga familjarët, por pa thënë siç detyrohet me ligj, se kush konkretisht e ka bërë dhuratën. Paga mujore neto e kryetarit të AMA është 1 milion lekë të vjetra ose 740 euro. Dmth në një vit bën 8 880 euro.

Por kjo është vetëm maja e ajsbergut

Më 5 shkurt 2015, bashkëshortja e Gentian Salës, ka deklaruar në formularin e deklarimit të pasurisë blerjen e një apartamenti banimi me sipërfaqe 217.5 metra katror në “Rezidencen Platea” që ndodhet rrugës për në Dajt.
Njëkohësisht tek e njëjta zonë deklaron dhe blerjen e dy vendeve të parkimit. Shuma e paguar për blerjen e shtëpisë dhe të garazhit është 97,000 euro (nëntëdhjetë e shtatë mijë euro).
217.5m 2 x 400 euro/m2=87000 euro, ndërsa vendet e parkimit kushtuan 10.000 euro. Çmimi në këtë rezidencë në rrugë zyrtare konfirmohet nga firma se është 600 euro metri katror. Pra, vlera normale e shtëpisë do të ishte 130 500 euro. Por përtej kësaj, a e justifikon burimin e 97.000 euro-ve bashkëshortja e Kreut të AMA-s?
Dorela Sala bashkëshortja e kryetarit të AMA deklaron në formularin e deklarimit të pasurisë se të ardhurat e saj vijnë nga puna në firmën “Delioitte Albania” me një rrogë mujore 700 euro, (vjetore 8 400 euro) dhe pranon se në këtë kompani ka afro 22 muaj që nga 1 marsi 2013 deri në 1 janar 2015. Absurditeti arrin me faktin se këto dy vite punë nuk justifikojnë blerjen e apartamentit 217 metra2 dhe të 2 garazheve. Nga një matematike e thjeshte del se zonja Sala duhet të punonte 25 vjet, me rrogë mujore 700 euro që të blinte apartamentin të cilin zotëron tani. Pra, praktikisht këtë super shtëpi, ajo do të mund ta blinte në vitin 2038.
Por në Shqipëri, nëse je bashkëshortja e një zyrtari edhe në moshën 27 vjeç kur ke punuar vetëm 22 muaj mund të kesh një super apartament. Pasuritë e bashkëshorteve të politikanëve dhe gjyqtarëve dhe të zyrtarëve të lartë janë vënë shpesh në qendër të dyshimeve të forta, pasi ato përdoren si karremi i fshehjes së pasurive të paligjshme të bashkëshortëve të tyre.
Këtë dyshim e hodhi vitin e kaluar në pikun e diskutimit të Reformës në Drejtësi edhe shefja e delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin. Dhe duke ju kthyer argumentit të deklarimit të pasurisë së bashkëshortes së kreut të AMA-s, Dorela Sala, në formular vihet re se ajo ka deklaruar se ka në zotërim sende me vlerë ora, vathë, byzylyk në shifrën 38.000 euro dhuratë nga familja, por pa thënë konkretisht se nga cili dhe mbi ç’bazë.
Ndërsa gjendja e parave cash jashtë sistemit bankar kap vlerën e 1.200.000 një milion e dyqindmijë lekë, për të cilat zonja Sala nuk e ka përcaktuar burimin. Madje në kolonën e të dhënave konfidenciale në formular ajo nuk ka bërë asnjë përshkrim të pasurisë, dhuratave dhe burimin e tyre të specifikuar.
Dhe pyetja që shtohet është se si mundet një vajzë e re me dy vite punë, me një pagë 700 euro në muaj të blejë një apartament 98 mijë euro bashkë me dy garazhe, dhe të ketë zotërim të ardhura kash 1 milion e 200 mijë lekë.
Mos është rastësi që vetëm disa muaj, pasi Gentian Sala u vu në krye të AMA-s pasuria e familjes u rrit në mënyrë të menjëhershme? ILDKP ka një rast të pastër për të nisur hetimet për pasurinë e subjektit në fjalë, për të verifikuar burimin e krijimit dhe ligjshmërinë e saj. Kryetari i AMA, Gentian Salaj që nga koha e zgjedhjes së tij në krye të këtij institucioni në nëntor të vitit 2014 ka qenë pjesë e një kryqëzimi të interesave të forta në botën mediatike, që rrjedhin edhe nga pozicioni që ai ka mbajtur me herët si drejtues në një prej kompanive garuese për licencën kombëtare të frekuencave dixhitale. Gjatë ditëve në vijim pritet të publikohen edhe abuzime të Kryetarit të AMA gjatë vitit 2015 dhe 2016, që duket se shpjegojnë gjithashtu degradimin e institucionit që ai drejton.
ILDKP nis hetimin për dhjetëfishimin e pasurisë së kreut të AMA-s

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë  (ILDKPKI) fillon kontrollin e plotë dhe hetimin administrativ për deklaratat e interesave private të Kryetarit të Autoritetit të Medias Audiovizive, Z. Gentian Sala.
Dokumentet e publikuara dhe në “Ora News” tregojnë një pasurim të beftë të Kryetarit të AMA-s dhe bashkëshortes së tij me 164 mijë euro gjatë vitit të parë në detyrë (dhjetor 2015-dhjetor 2016), ndërkohë që të ardhurat vjetore të deklaruara nga dy bashkëshortët janë vetëm 17 280 euro. Dhe ILDKPI informon se kryerja e veprimeve verifikuese dhe hetimit administrativ do të shtrihet edhe për familjarët, bashkëshorten e tij, fëmijët, si dhe personat e lidhur.
“Nisur nga njoftimet në media në lidhje me pasurinë e zotëruar nga Kryetari i Autoritetit të Medias Audiovizive, Z. Gentian Sala dhe nga bashkëshortja e tij Znj. Dorela Sala, Inspektori i Përgjithshëm bazuar në Ligjin Nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar dhe Ligjin Nr. 9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, ka urdhëruar fillimin e procedurave të kontrollit të plotë dhe hetimit administrativ për të gjitha deklaratat e interesave private të subjektit Gentian Sala”, thuhet në njoftimin për media të publikuara sot, 23 janar 2017.

Objekt kontrolli do të jetë dhe gjendja e konfliktit të interesit

“Objekt i këtij kontrolli nuk do të jenë vetëm pasuritë e subjektit në fjalë, burimet e krijimit dhe ligjshmëria e tyre, por gjithashtu edhe gjendja e konfliktit të interesit. Mbledhja e të dhënave dhe informacioneve, kryerja e veprimeve verifikuese dhe hetimit administrativ do të shtrihet edhe për familjarët, bashkëshorten e tij, fëmijët, si dhe personat e lidhur”.
Inspektori i Përgjithshëm ka kërkuar kryerjen e një hetimi tërësor brenda një kohe sa më të shpejtë të mundshme.
Inspektorati i Lartë gjithashtu falenderon median për bashkëpunimin e deritanishëm me ILDKPKI, dhe i fton ato si dhe çdo person tjetër që zotëron informacione për pasuri të fshehura, të padeklaruara dhe të vëna në kundërshtim me ligjin për subjektin e mësipërm, t’i depozitojnë pranë Inspektoratit të Lartë, duke ju garatuar konfidencialitetin si një prej parimeve më të rëndësishme të punës së ILDKPKI-së.