Identifikohet viktima që u dogj me benzinë në Sarandë

Identifikohet personi që i dha fund jetës pasditen e të dielës në qytetin e Sarandës, duke u vetëdjegur me benzinë. Ai është 77-vjeçari Et’hem Seferi, i njohur me pseudonimin “Temka”. Ngjarja e rëndë është regjistruar pasditen e djeshme rreth orës 17:43, në lagjen nr.4 të qytetit, brenda rrethimit të një banese në rrugën “Mit’hat Hoxha”.
Kanë qenë dy të rinj, ata që kanë njoftuar policinë, pasi panë se çfarë po ndodhte në anë të murit. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje, por për shkak të djegieve të shumta trupi ishte shkrumbuar tërësisht dhe personi kishte ndërruar jetë. Trupi i pajetë është dërguar në morgun e Spitalit të Sarandës, dhe kanë qenë familjarët e viktimës, ata që kanë bërë identifikimin e tij. Mes lotësh, ata thonë se nuk e dinë arsyen që mund të ketë çuar familjarin e tyre drejt këtij akti të rëndë.
Et’hem Seferi, i cili prej vitesh ka punuar si këpucar, njihej si një njeri i qetë. Tashmë ai ishte në pension, dhe sipas familjarëve të tij nuk kishte shfaqur shenja depresioni. Nga këqyrja e trupit nuk rezultojnë shenja dhune mbi 77-vjeçarin, ndërsa policia po vijon hetimet për të zbardhur motivet që e çuan të moshuarin drejt vetëflijimit.
Katër ditë më parë një 57-vjeçar i vuri flakën vetes me benzinë në Komisariatin e Fierit. Marko Silo u shpreh se, vajza e tij është zhdukur prej tre vitesh dhe për këtë, ai ka denoncuar 3 persona, pasi dyshon që mund ta kenë trafikuar si prostitutë dhe akuzon shtetin se nuk ka bërë asgjë për ta ndihmuar. Ai thotë se, njëri nga rrëmbyesit ishte i kërkuar edhe nga Interpoli dhe ai e ka denoncuar në polici për rrëmbimin e vajzës, por policia nuk e ka arrestuar.
“Akti im për t’u vetëdjegur në Komisariatin e Policisë së Fierit ishte protestë për indiferencën e shtetit. Unë shkova në polici për vajzën time të zhdukur Armela, ata u treguan indiferentë. Kam denoncuar 3 persona që më morën vajzën. Një nga rrëmbyesit ishte i kërkuar edhe nga Interpoli. Vajza para një viti kërkoi të tërhiqnim denoncimin, por besoj se vajza ime është nën presionin e rrëmbyesve”, thotë ai. Silo shprehet se ka frikë për jetën e familjarëve, ndaj kërkon mbrojtje nga shteti.