Aleatët e PD: Pa votim elektronik nuk ka zgjedhje

Krerët e dy partive që kanë firmosur memorandumin për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike në qershor, mendojnë se faktori kohë nuk qëndron. Ata janë shprehur kundër idesë së deklaruar shpeshherë nga ambasadori i OSBE se nuk ka mjaftueshëm kohë për të organizuar votimin elektronik në qershor. Aleatët e Partisë Demokratike në opozitë janë treguar tejet të ashpër me OSBE përsa i përket votimit elektronik. Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, e sheh absurd dhe të papranueshëm qëndrimin e mbajtur nga ambasadori i OSBE-së në lidhje me votimin elektronik në Shqipëri. Nga ana e saj, partia më e madhe e opozitës gjithashtu ka motivuar me fakte se nuk është faktori kohë në bazë të kundërshtive të mazhorancës, por mungesa e vullnetit politik nga ana e Edi Ramës për të organizuar zgjedhje demokratike. Rama ka frikën se zgjedhjet i ka të humbura dhe do të mundohet që të shkatërrojë procesin zgjedhor, duke vjedhur sërish votat. Në mbrojtje të procesit është PD dhe aleatët, të cilët kanë nënshkruar një memorandum me disa pika dhe kërkojnë plotësimin e këtyre pikave nga ana e qeverisë.
Ndoka, i cili është edhe një nga krerët e partive që firmosën memorandumin për zgjedhje të lira dhe të ndershme në vend, thekson se vullneti politik është më i rëndësishëm në procesin e Reformës Zgjedhore. Në një intervistë për “Report Tv”, Ndoka paralajmëron një skenar si ai në Maqedoni, nëse në Shqipëri nuk do të ketë një Reformë të thellë Zgjedhore.
“Qëndrimi i OSBE është absurd, i papranueshëm dhe i papërgjegjshëm, për faktin se gjithmonë kur ka një vullnet politik, ka kohë. Duke e konsumuar mandatin kushtetues kjo mazhorancë, mund të na presë një variant maqedonas, duke i organizuar zgjedhjet me një qeveri tjetër tranzitore me një kohë dhe një afat të përshtatshëm për t’i realizuar këto standarde”, deklaroi Ndoka.
Edhe për kreun e LZHK-së, Dashamir Shehi, vullneti i partive politike është më i rëndësishëm në Reformën Zgjedhore sesa qëndrimet e OSBE-së. Sipas Shehit, gjithmonë ky institucion ka folur për zgjedhje që po vijnë drejt përmirësimit, por hapin final duhet ta hedhin partitë politike. “U bë vite që OSBE thotë se në këto zgjedhje u bë një hap përpara. Se ku është ky hapi përpara…? Unë s’mbaj mend të ketë thënë ndonjëherë OSBE se këto zgjedhje nuk hyjnë në punë. OSBE këtë punë thotë, prandaj me OSBE ose pa OSBE, kjo është puna jonë dhe gjykoj se këtu s’ka asgjë për t’u paragjykuar”, theksoi Shehi.
Dy aleatët e opozitës paralajmërojnë se, nëse mazhoranca nuk do të reflektojë për kërkesat e tyre në lidhje me Reformën Zgjedhore, atëherë do të ndiqen të gjitha rrugët demokratike për t’ia imponuar asaj këto kërkesa. Bojkoti i Kuvendit, protestat dhe deri te shtyrja e datës së zgjedhjeve janë disa nga hapat që opozita pritet të ndjekë nëse mazhoranca nuk do të pranojë votim dhe numërim elektronik në zgjedhjet e 18 qershorit.
Megjithatë, për të mos arritur në masa të tilla ekstreme, nga ana e saj Partia Demokratike, përmes kryetarit të saj, z.Lulzim Basha ka deklaruar gjithashtu se, nëse Rama nuk mund të organizojë votim elektronik, atëherë mund të sjellë në tavolinë një tjetër propozim të tijin. PD premton se propozimi i Ramës do të diskutohet dhe nëse bind se është rrugë më e mirë dhe më e shpejtë për të siguruar zgjedhje të lira dhe për të mbrojtur votën e shqiptarëve, atëherë vëmë atë në zbatim. Përderisa mazhoranca nuk ka propozim më të mirë, atëherë votim elektronik mbetet si alternativë e vetme për të zhvilluar një proces të drejtë zgjedhor në qershor.
Në Shqipëri ka një historik të vjedhjes së votës dhe është ky historik që ka fshirë nga qytetarët shqiptarë besimin tek vota. Votimi elektronik, eliminimi i mendjes së korruptuar njerëzore dhe duarve të mazhorancës sërish do të kthejë besimin e qytetarit tek vota. Rikthimi i besimit të qytetarëve do të garantojë edhe një pjesëmarrje më të gjerë në votime dhe kjo është një tjetër arritje që votimi elektronik mund të sjellë.

R. Hafizi