Ballina Sport Strakosha rinovon, 500 mijë euro në vit

Strakosha rinovon, 500 mijë euro në vit

Çfarë duhet të them: Faleminderit apo Efkaristo? Grazie Thomas, Grazie. Strakosha, jo ai i madhi, doli nga zyrat e klubit të Lacios dhe i dërgoi një sms të atit: 5 vite kontratë, 500 mijë euro në sezon. Ku ishe ti 21 vjeç? Ndonjë shaka më shumë dhe lejohet. Asnjëherë një shqiptar në këtë moshë nuk ka firmosur një kontratë të tillë me një klub kaq të madh dhe me një vlerë kaq të lartë financiare. Madje-madje as në Serinë A nuk e gjen një precedent të tillë për momentin. Për pak harruam, nëse luan rregullisht edicionin e ardhshëm rroga dyfishohet.
Çfarë suksesi, Lacio dhe sidomos kombëtarja e ka të ardhmen e portës të sigurtë. Në klub janë të bindur, kemi nëpër duar një xhevahir, një talent të rrallë. 21 vjeç për një portier është njësoj si 15 për një sulmues. Roma është një qytet i mrekullueshëm, kampionati është gjithnjë ndër më të bukurit në botë, skuadra është e jashtëzakonshme, e ardhmja e ndritur. Përvoja në Greqi dhe ajo te Salernitana patjetër që e ka ndihmuar, por në Lacio janë të bindur, investimi një ditë do ja vlejë. Patjetër që mund të jetë një rastësi, por dy portierët e kombëtares shqiptare janë aty, në pronësi të këtij klubi. Madje-madje nëse gjërat shkojnë mirë në Palermo në mars mund të jetë madje dhe titullar kundër Italisë. Ka kohë gjer atëherë.
Kohërat dhe jetët ndryshojnë. Kur Foto Strakosha ishte 21 vjeç ende nuk kish mbërritur në kryeqyet dhe 500 mijë lekë të vjetra i ngjanin një parajsë, ndërsa djali me duart e arta në epokën moderne, ka përpara kontratën e jetës. Është vetëm fillimi. Kënaqësi e jashtëzakonshme, tregues i qartë se dhe shqiptarët mund të lënë shenjën e tyre kudo qoftë, madje dhe në tokën europiane ku portierët kanë qenë gjithnjë një specialitet. Foto luajti kundër Lacios, me Panionon, djali luan me Lacion kundër gjithkujt. Asnjë konkurrencë, i pari i dha shumë Shqipërisë, i dyti ka Shqipërinë përpara.

Exit mobile version