Rajoni nuk mund të kthehet pas në kohën e Milosheviçit

Bujar NISHANI

Është një kënaqësi e veçantë që takohem sërish me ju në këtë pritje tradicionale në fillimin e Vitit të Ri dhe konstatoj me kënaqësi se me disa prej jush takohem për të pestin vit radhazi në këtë pritje tradicionale, përfshirë dhe dekanin, ambasadorin Zariç. Faleminderit Ambasador Zariç për urimet në emër të Trupit Diplomatik, të cilat dëshiroj t’i reciprokoj me shumë kënaqësi për ju të gjithë, si dhe për vendet, popujt dhe organizatat që ju përfaqësoni! Faleminderit!
Viti që lamë pas ka qenë një vit i mbushur me ngjarje të shumta, si në kontekstin dypalësh ashtu edhe në atë rajonal apo global. Siç nuk mund të ndodhte ndryshe, edhe viti 2016 ka qenë i mbushur me ngjarje të shumta, shpesh të dhembshme dhe dramatike, por edhe me momente e ngjarje të rëndësishme, të bukura e shpresëdhënëse, për të ardhmen e vendeve dhe popujve tanë. Bota dhe shoqëria njerëzore vijuan edhe gjatë vitit 2016 të përballen me sfida e kërcënime të shumta. Por ato më të rrezikshmet mbetën sërish terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm, flukset migratore dhe refugjatët nga zonat në konflikt, ndryshimet klimaterike e mjaft të tjera, të cilave duket se nuk po i shpëton asnjë rajon i botës dhe praktikisht çdo vend dhe popull mbetet i rrezikuar. Terrorizmi vijoi edhe gjatë vitit të shkuar, të godasë mizorisht njerëz të pafajshëm në vende të ndryshme të Evropës dhe botës. Me një simbolikë të shëmtuar, aktet terroriste në Nisë, Berlin e Stamboll, synuan që përmes ndërprerjes së pamëshirshme të jetës së shumë qytetarëve të pafajshëm që kremtonin e gëzonin Ditën e Bastijes, Krishtlindjet dhe ndërrimin e viteve, të intimidonin qytetarët e këtyre vendeve, të përçanin dhe gjunjëzonin shoqëritë tona në përgjithësi. Ato ishin të dhunshme, mizore, të përgjakshme, por kurrë nuk e arritën synimin e tyre. Ato akte vërtet goditën pjesë të qytetërimit tonë, por nuk na intimiduan dhe përçanë, por përkundrazi na bënë më solidarë e më të bashkuar në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar e në veçanti ndaj të ashtuquajturit Shtet Islamik: ISIS, që fatkeqësisht ende vijon të terrorizojë e mbajë nën kontroll disa territore në Siri e Irak dhe të kërcënojë të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme dhe fqinjët e tyre.
Por një nga zhvillimet shumë pozitive dhe që ofroi optimizëm për të ardhmen e shoqërisë njerëzore gjatë vitit të shkuar mendoj se ishte Samiti i parë Humanitar Botëror, iniciuar nga ish-sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon dhe që u mbaj në muajin maj në Stamboll. Mendoj se ky Samit, ashtu si edhe Marrëveshja për Klimën e arritur në Samitin e Parisit, përbën një kthesë vendimtare për të ardhmen e planetit tonë të përbashkët, duke hedhur piketa të rëndësishme në axhendën për njerëzimin, për të ardhmen e shoqërisë njerëzore, për respektimin e të drejtave të njeriut dhe normave ndërkombëtare, si dhe për përmirësimin e arkitekturës ndërkombëtare të ndihmave. Kam qenë dhe mbetem i bindur se sfidat e përbashkëta kërkojnë zgjidhje të përbashkëta dhe respekt të plotë për normat ndërkombëtare. Kriza e refugjatëve dhe flukseve migratore, ende mbetet një çështje e pazgjidhur e që do të rëndojë gjatë deri në gjetjen e një adresimi efikas, por duket se do të vijojë të rëndojë edhe në koshiencën tonë personale dhe institucionale.
Gjatë vitit 2016, kam pasur kënaqësinë që të kem një bashkëpunim shumë intensiv dhe të shkëlqyer me shumë prej jush personalisht, por po kështu jam informuar se ky bashkëpunim ka qenë i tillë edhe me ju dhe me të gjitha institucionet dhe autoritetet shqiptare në funksion të axhendës së përbashkët të bashkëpunimit. Gjatë vitit 2016, kremtuam përvjetorë të rëndësishëm të vendosjes apo rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me vende tradicionalisht mike, ku mund të përmend këtu 25-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Selinë e Shenjtë, Izraelin e vende të tjera, momente këto që risollën në kujtesën e shqiptarëve ditët e fundit të regjimit diktatorial në Tiranë dhe pafuqinë e drejtuesve në ikje komunistë për t’i penguar më tej këto marrëdhënie. Por po ashtu mund të sjell në vëmendje edhe 60-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Austrinë dhe vendosjes së tyre me Egjiptin. Përvjetorë të tjerë na presin gjatë vitit 2017, pasi në vitin 1992, ka pasur vendosje marrëdhëniesh diplomatike me vende të ndryshme të Gjirit apo të rajoneve të tjera të botës, të cilat duhet jo vetëm t’i kremtojmë, por edhe t’i shohim si momente të rëndësishme në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe si një impulse të reja, veçanërisht ndaj bashkëpunimit ekonomik e tregtar.
Gjithashtu, viti që lamë pas ka qenë një vit i mbushur me ngjarje e zhvillime të shumta të brendshme në Shqipëri e të lidhura ngushtë me axhendën evropiane të vendit. Siç e dini, dy vite më parë, Shqipërisë iu akordua statusi i vendit kandidat në Bashkimin Evropian, por hapja e negociatave të aderimit u kushtëzua me progresin që vendi do të bënte në pesë prioritete kyçe, ku një vëmendje e veçantë iu kushtua reformës në drejtësi. Pas një angazhimi pothuajse 2-vjeçar e shumëdimensional të aktorëve lokalë e të huaj, më 22 korrik u miratua me konsensus të plotë, paketa e ndryshimeve kushtetuese që i hapi rrugën procesit të reformës së thellë në sistemin e drejtësisë. 140 nga 140 anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë votuan në favor të këtyre ndryshimeve kushtetuese, duke mundësuar kështu që Komisioni Evropian të rekomandonte në muajin nëntor, hapjen e negociatave të aderimit të Shqipërisë. Por pavarësisht këtij rekomandimi, qëndrimi i vendeve anëtare ishte ende jo në favor të hapjes së negociatave, duke kërkuar më shumë progres nga institucionet shqiptare, jo vetëm në adresimin më të mirë të pesë prioriteteve kyçe, por edhe të përmbushjes së rekomandimeve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2017, si dhe zbatimin konkret të ligjit të dekriminalizimit, për të pastruar radhët e politikës dhe të administratës nga elementë kriminalë dhe mbrojtjes së këtyre institucioneve nga penetrimi i këtyre elementëve në të ardhmen. Zbatimi i reformës në drejtësi mbetet sfida kryesore jo vetëm për klasën politike shqiptare, por do të shtoja edhe për të gjithë shoqërinë dhe institucionet shqiptare.
Ndër ngjarjet më të rëndësishme për shqiptarët, gjatë vitit 2016, do të rendisja momentin e mrekullueshëm të Shenjtërimit të Nënë Terezës nga Papa Françesku, më 4 shtator. Nënë Tereza u shpall nga Ati i Shenjtë si: Shenjtorja Terezë e Kalkutës; duke na lumturuar në mënyrë të veçantë ne shqiptarët për prejardhjen dhe modelin e saj. Gjithashtu, shpallja e At Ernest Troshanit si Kardinal, në muajin tetor, si dhe të Lumturimit të 38 Martirëve të Kishës Katolike shqiptare në fillim të muajit nëntor nga Papa Françesku, ishin ngjarje shumë të rëndësishme për komunitetin katolik shqiptar, por jo vetëm. Ishin momente të rëndësishme për reflektim në memorien kolektive kombëtare në vlerësimin e sakrificave dhe vuajtjeve gjatë regjimit komunist.
Nuk do të doja të rendisja këtu kronologjikisht të gjitha ngjarjet e rëndësishme, por siç mund të jetë vënë re edhe nga intensiteti i shkëmbimit të vizitave dypalëshe me vendet e rajonit të Ballkanit apo edhe të aktiviteteve dhe pjesëmarrjes në iniciativat e ndryshme rajonale përgjatë vitit 2016, vëmendja për bashkëpunimin rajonal ka vijuar të jetë në qendër të politikës së jashtme të vendit tim. Në thelb të politikës së jashtme të Shqipërisë ka qenë dhe mbetet promovimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve, me qëllimin e vetëm garantimin e një mjedisi të sigurt për respektimin, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.
Samiti i Procesit të Brdo-Brijunit, në Sarajevë dhe i Procesit të Bashkëpunimit të vendeve të Evropës Juglindore (SEECP) në Sofje, si dhe Samiti i Parisit në kuadër të Procesit të Berlinit, kanë vijuar t’i japin një substancë të re bashkëpunimit rajonal, axhendës evropian të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe të vetë rajonit në veçanti. Falë këtyre iniciativave, por edhe axhendës evropiane dhe euroatlantike të vendeve të rajonit, zhvillime konkrete kanë marrë jetë, si në kontekstin e pritshmërisë së zhvillimit infrastrukturor të rajonit, por mbi të gjitha edhe për nxitjen e frymës pajtuese mes kombeve dhe veçanërisht mes të rinjve të rajonit. Hapja e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor, sipas modelit të bashkëpunimit rinor franko-gjerman në Tiranë, është një ngjarje e rëndësishme që duhet mbështetur dhe inkurajuar më shumë. Po ashtu edhe krijimi i Fondit të Ballkanit Perëndimor, si një iniciativë rajonale e gjithpërfshirëse, ka hapur një vizion të ri bashkëpunimi për angazhimin e përbashkët të burimeve financiare në mbështetjen e projekteve rajonale e të shoqërisë civile.
Shqipëria, politika e saj e jashtme dhe institucionet e saj, edhe përgjatë vitit 2016, kanë dhënë një kontribut maksimal për forcimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal. Në të gjitha aktivitetet rajonale, si dhe vizitat dhe takimet dypalëshe, është theksuar në mënyrë të përsëritur dhe të qartë se, Shqipëria do të vijojë të kontribuojë aktivisht për garantimin e paqes, stabilitetit, bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe pajtimit mes vendeve dhe popujve të rajonit. Të gjithë jemi dëshmitarë se në vitet e fundit rajoni i Ballkanit Perëndimor ka bërë një progres të dukshëm, duke lënë pas të shkuarën konfliktuale. Axhendat e të gjitha vendeve kanë qenë të orientuara vitet e fundit drejt pajtimit, bashkëpunimit dhe zhvillimit të përbashkët. Por si asgjë që nuk arrihet vetë edhe ky progres duhet mbrojtur dhe promovuar edhe më tej.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur fuqimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka qenë dhe mbetet një element substancial për paqen, sigurinë dhe pajtimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria e ka mbështetur fuqimisht e pa rezerva këtë dialog, e bindur se progresi në marrëdhëniet mes këtyre dy shteteve do të krijojë një klimë më të mirë bashkëpunimi e mirëkuptimi mes vendeve të rajonit. Por, ndërkohë që të gjithë jemi në pritje të rezultateve konkrete të marrëveshjeve të arritura mes këtyre dy shteteve në gjashtë vitet e fundit, shohim se ende ka tendenca apo veprime që minojnë këto negociata apo bllokojnë implementimin e marrëveshjeve, të cilat nuk i shërbejnë aspak zhvillimeve dhe progresit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy shteteve, por edhe stabilitetit të të gjithë rajonit në përgjithësi. Mbajtja në fuqi nga Serbia e masave efektive politiko-ligjore të kohës së Millosheviçit për Kosovën nuk i shërben frymës së pajtimit dhe po ashtu, vijimi i bllokimit të Kosovës në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, bie ndesh me angazhimet e marra. Shqipëria mbështet qartazi ecjen përpara të rajonit dhe jo kthimin prapa, në ditët e errëta kur regjimi i Millosheviçit agresonte dhe aplikonte spastrime etnike të gjitha vendet e rajonit. Pajtimi mes shteteve kërkoi kurajo dhe vizion politik, të cilin Shqipëria do ta mbështeste pa hezitim.
Me veprime konkrete Shqipëria ka demonstruar se dëshiron marrëdhënie miqësore e të bashkëpunimit me të gjitha vendet e rajonit dhe është e angazhuar për t’i përmirësuar këto marrëdhënie në maksimumin e mundshëm të tyre. Por Shqipëria kurrsesi nuk mund të neglizhojë vëmendjen konform standardeve dhe konventave ndërkombëtare, ndaj të drejtave, trajtimit dhe statusit të bashkëkombësve të saj shqiptarë, në të gjitha vendet e rajonit ku ata jetojnë. Respektimi i tyre është thelbësor në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërshtetërore.
Shqipëria ka inkurajuar dhe inkurajon në mënyrë të vazhdueshme rolin dhe kontributin luajal të shqiptarëve, në ruajtjen e integritetit, stabilitetit dhe të zhvillimit të vendeve ku jetojnë, por mbështet gjithashtu të gjitha iniciativat apo marrëveshjet e arritura që garantojnë të drejtat e tyre themelore. Është për t’u përshëndetur bashkimi i faktorit politik shqiptar në Maqedoni, vetëm pak ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare atje, për të rivitalizuar zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, si një garanci solide për ruajtjen e kohezionit të brendshëm, por edhe për garantimin e harmonisë dhe bashkëjetesës mes popullsisë shqiptare dhe asaj maqedonase. Marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni kanë një rëndësi të veçantë edhe për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Po ashtu, si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria ishte ndër vendet e para që ratifikoi protokollin e anëtarësimit të Malit të Zi në Aleancë dhe ka mbështetur politikën e dyerve të hapura të Aleancës për të gjitha vendet e rajonit që e aspirojnë anëtarësimin.
Edhe viti 2016, ka qenë i ngarkuar me një axhendë diplomatike intensive. Marrëdhëniet e Shqipërisë me vende të ndryshme apo organizata rajonale dhe ndërkombëtare, janë zhvilluar me një dinamikë të pëlqyeshme. Unë personalisht, si kreu i shtetit shqiptar kam pasur nderin dhe kënaqësinë që gjatë vitit 2016, t’i uroj mirëseardhjen në Tiranë, në vizita shtetërore e zyrtare, presidentëve të Maltës, Hungarisë dhe Kosovës, Kapitenëve Regjentë të San Marinos, si dhe njërit prej anëtarëve të Presidencës së Bosnje-Hercegovinës. Përfitoj nga rasti t’u uroj suksese përfaqësuesve të Maltës dhe Estonisë për marrjen e Presidencës së Bashkimit Evropian, respektivisht në 6-mujorin e parë dhe të dytë të vitit 2017.
Gjithashtu, me ftesë të krerëve të shteteve kam zhvilluar vizita zyrtare në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, Jordani, Itali, Urdhrin Sovran të Maltës dhe në Turqi, vizita që në thelb të tyre kanë pasur intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe dinamizimin e bashkëpunimit në nivel të organizatave ndërkombëtare, ku vendet tona bëjnë pjesë. Por nuk mund të lë pa përmendur edhe kënaqësinë e pjesëmarrjes në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri të Republikës së Kosovës, në muajin prill dhe të pjesëmarrjes në kremtimet e 10-vjetorit të Pavarësisë së Malit të Zi. Në të dy rastet kam përjetuar dinamikën pozitive të progresit të secilit prej këtyre vendeve në veçanti, por edhe të frymës së përgjithshme të bashkëpunimit rajonal.
Me një axhendë shumë të rëndësishme për vendin tim në organizatat ndërkombëtare, 25 vite pas ndryshimeve demokratike në Shqipëri, zhvillova vizita e takime në institucionet e Këshillit të Evropës, NATO-s dhe të Bashkimit Evropian, duke e mbyllur axhendën ndërkombëtare të vitit me pjesëmarrjen në Sesionin e 71-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Pas 45 vitesh izolim dhe dhunim të pashembullt të të drejtave të njeriut, të drejtës së jetës, të besimit, të pronës, të fjalës, të mendimit ndryshe, të të drejtave të fëmijëve, anëtarësimi i Shqipërisë në Këshillin e Evropës ishte garancia më e mirë dhe angazhimi më serioz për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe pronës së shqiptarëve, ndaj dhe vizita ime atje në muajin mars, 25 vite pas rënies së komunizmit në Shqipëri, kishte një vlerë të veçantë. Po kështu, një muaj më vonë, në muajin prill, ky mesazh u përcoll në institucionet e NATO-s dhe BE. Anëtarësimi në NATO dhe vijimi i procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, lidhet pazgjidhshmërisht me sigurinë e vendit, angazhimet në kuadrin e Samitit të Varshavës, si dhe përmbushjen e reformave për një zhvillim të qëndrueshëm. Ndërsa në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, pata nderin dhe fatin të prezantoj angazhimet e Shqipërisë dhe shqiptarëve në kuadrin e Axhendës 2030, si një platformë ndërkombëtare për forcimin e lidhjes që ekziston ndërmjet zhvillimit dhe sigurisë e duke besuar se kjo axhendë do të jetë udhërrëfyesi i organizatës dhe vendeve anëtare për një zhvillim të qëndrueshëm në 15 vitet e ardhshme, për njerëzit, planetin, paqen, partneritetin dhe begatinë.
Por gjithashtu, kam pasur kënaqësinë që të pres një numër të konsiderueshëm autoritetesh të tjera të larta të huaja, që me ftesë të kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, ministrit të Jashtëm apo autoriteteve të tjera shqiptare, kanë vizituar Shqipërinë përgjatë gjithë vitit 2016. Në të gjitha këto takime, kam përcjellë mesazhin dhe vullnetin e shqiptarëve për të zhvilluar marrëdhënie të mira e të bashkëpunimit me të gjitha vendet dhe organizatat partnere. Të gjitha këto vizita, takime e aktivitete kanë qenë në funksion të politikës së jashtme të Shqipërisë, për zhvillim të marrëdhënieve me të gjitha vendet e organizatat mike e partnere.
Marrëdhëniet me aleatet strategjike përgjithësisht kanë avancuar edhe më tej, duke u reflektuar në vizitën e sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, në muajin shkurt në Tiranë. Këto vizita u dhanë një impuls të ri marrëdhënieve dypalëshe strategjike, duke avancuar axhendën konkrete të bashkëpunimit për vitin e ardhshëm.
Gjatë vitit 2016 patëm edhe dy ngjarje shumë të bukura e domethënëse diplomatike, të cilat dëshiroj t’i falënderoj e t’i përshëndes në veçanti. Suedia vendosi ngritjen e përfaqësimit diplomatik në Tiranë, në nivelin e ambasadorit, ndërsa Japonia vendosi dhe hapi ambasadën e saj për herë të parë në Tiranë. U uroj suksese dhe jam i bindur se këto dy vendime do t’u japin një impuls të ri marrëdhënieve miqësore e të bashkëpunimit mes vendeve tona.
Marrëdhëniet e Shqipërisë me Vendet Arabe të Gjirit kanë vijuar edhe përgjatë vitit 2016, të kenë një dinamikë shumë të mirë, duke u zgjeruar dhe forcuar edhe më tej si në kontekstin ekonomik ashtu edhe në kuadrin e shkëmbimeve kulturore e arsimore.
Jam i sigurt se edhe për vitin 2017, pavarësisht angazhimeve të rëndësishme politike të brendshme, të cilat do të kulmojnë me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe krijimin e një qeverie të re, politika e jashtme e vendit tim do të vijojë të jetë aktive si në nivel dypalësh, ashtu edhe në nivel rajonal apo në kontekstin e organizatave ndërkombëtare. Për këtë arsye besoj dhe shpresoj se edhe bashkëpunimi me ju do të jetë i shkëlqyer dhe domethënës. Veprimet dhe angazhimet tuaja diplomatike, por edhe e konsujve të nderit të vendeve që nuk kanë përfaqësi diplomatike në Shqipëri, janë shumë të rëndësishme për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona dypalëshe.
Në mbyllje dëshiroj edhe një herë t’ju uroj juve personalisht, familjeve tuaja, bashkëpunëtorëve tuaj të ngushtë si dhe vendeve e organizatave që përfaqësoni: Një Vit të Ri të mbarë dhe sa më shumë lumturi, begati dhe bashkëpunim! Gëzuar!”.