Marchisio: Ta harrojmë Fiorentinën, të fitojmë tituj

Claudio Marchisio përpiqet të karikojë Juventusin me deklaratat e tij. Mesfushori i përfaqësueses italiane, i cili pak nga pak po rifiton formën e më të mirëve pas atij dëmtimi të gjatë, u ndal të fliste për sfidën e humbur sëfundmi nga bardhezinjtë e Alegrit ndaj Fiorentinës në Firence me shifrat 2-1. “E dimë që ajo në Artemio Franchi nuk ishte një paraqitje e mirë e skuadrës sonë, por tashmë duhet të shikojmë përpara, është kjo gjëja më e rëndësishme. Kemi një provim çdo tre ditë dhe duhet të jemi gati dhe të mendojmë çdo ditë si të përmirësohemi, thekson Marchisio. Mesfushori 30-vjeçar përcaktoi qartë edhe objektivat e Juves për vitin 2017-të.
“Shpresoj dhe uroj që në 2017-ën të arrimë ato objektiva që i kemi vendosur vetes për të bërë të lumtur edhe tifozët tanë. Duam të ngrejmë trofe të rëndësishëm. Jemi të kënaqur që kemi fituar 5 tituj kampion radhazi, por nuk duam të ndalemi këtu. E dimë që kemi një skuadër me emra të mëdhenj në përbërje, por për të fituar nuk mjafton vetëm talenti, pasi duhet të punosh fort”, shtoi në fund të fjalës së tij, Claudio Marchisio.