Zëvendësi i De Biazit do të jetë Marko Veroneze

Xhani De Biazi duket se e ka gjetur njeriun e tij të besuar, zv/trajnerin e përfaqësueses së Shqipërisë. Ai është ish-lojtari i tij në vitet 2001-2002, kur drejtonte Modenën, sulmuesi Marko Veroneze. Edhe pse me një karrierë jo shumë të pasur përsa i përket asaj futbollistike, pasi në 354 ndeshje ka shënuar vetëm 73 gola, ai duket se ka bindur De Biazin me sa duket për të marrë rolin e Paolo Tramexanit. Karriera e Veronezes ka filluar me Interin, më pas ka luajtur me skuadra jo shumë në zë si Kievo, Modena, Venecia, Çezena e të tjerë. Pasi ka mbyllur karrierën  futbollistike në vitin 2012, në vitin 2014, ai ka marrë drejtimin e Pavias, skuadër e kategorisë inferiore të futbollit italian (Lega Pro), ndërkohë që eksperiencën e fundit e ka patur tek skuadra e Monxës, ku ka punuar për shumë kohë si zëvendës i rreth 4 trajnerëve.
Ky me sa duket është propozimi i parë që trajneri Xhani De Biazi i ka paraqitur presidentit të FSHF-së, Armand Duka, sigurisht edhe nga niveli financiar që mund të paguaj federata jonë, për këtë post. Edhe pse Paolo Tramexani, përveçse ishte zëvendëstrajner, mbante edhe rolin e drejtorit teknik të ekipeve kombëtare, një pozicion që paguhej rreth 10.000 euro. Ai u largua në dhjetor të këtij viti për të marrë rolin e trajnerit të parë tek skuadra e Luganos.
Ndërkohë, Marko Veroneze ende nuk ka zhvilluar takimin e parë me drejtuesit e FSHF-së, që gjithsesi janë të prirur të pranojnë kërkesën e De Biazit, për krahun e tij të djathtë, të paktën edhe për gjysmën e mbetur të kontratës, që i përfundon me mbylljen e këtyre eliminatoreve të Botërorit “Rusi 2018”.