Xi Jinping mbron globalizimin dhe tregtinë e lirë në Davos

Presidenti kinez, Xi Jinping e ka hapur dje Forumin Botëror Ekonomik në Davos me një fjalim përmes të cilit e ka mbrojtur globalizimin dhe tregtinë e lirë.
Xi është presidenti i parë kinez që ndjek takimin vjetor të liderëve të vendeve dhe shefave të bizneseve në Alpet zvicerane, përgjatë historisë 47-vjeçare të tij.
Ai ka thënë se, “nuk ka arsye të fajësohet globalizimi ekonomik për problemet botërore”, dhe ka shtuar se krizat financiare ndërkombëtare janë shkaktuar nga ndjekja e tepruar e përfitimeve.
Lideri kinez ka nxitur vendet që të refuzojnë politika tregtare lokaliste, duke paralajmëruar se, “askush nuk do të dalë fitues në një luftë tregtare”.
Forumi katër ditor po mbahet në kohën e shqetësimeve se administrata e ardhshme amerikane mund të ndjekë një politikë të tillë.
Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, i cili do të bëjë inaugurimin më 20 janar, ka folur kundër marrëveshjeve ndërkombëtare tregtare dhe ka kërcënuar se do të rrisë tarifat e mallrave që importohen nga Kina.
Një prej këshilltarëve të tij të lartë, Anthony Scaramucci, pritet që gjatë fjalimit të tij të nënvizojë prioritetet e administratës së ardhshme në Davos, më 17 janar, para se të mbajë fjalimin e tij, sekretari në largim i Shtetit amerikan, John Kerry.