Vritet me thikë në zemër 22-vjeçari në Vlorë

Një i ri u vra me thikë dje në Vlorë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 13:45 të ditës së djeshme në një rrugicë të lagjes “Partizani”, ku ka mbetur i vrarë 22-vjeçari Armand Rrapaj. Sipas burimeve, vrasja është kryer nga vëllezërit Klevis dhe Novruz Merkaj pas një konflikti. Banorë të zonës kanë deklaruar se fillimisht kanë dëgjuar zërin e lartë të përdorur nga të rinjtë dhe më pas, kur kanë shkuar për të parë kanë gjetur 22-vjeçarin Rrapaj të shtrirë në tokë dhe të mbuluar me gjak.
Banorët kanë lajmëruar policinë, e cila kur ka mbërritur në vendngjarje ka bërë shoqërimin e Rrapaj në spital, ku ai ka ndërruar jetë pak momente më vonë. Forcat e policisë kanë vënë në pranga njërin nga vëllezërit, Klevis Merkaj, 27 vjeç, ndërsa kanë shpallur në kërkim Nevruz Merkajn.
Ndërkohë, në ambjentet e Spitalit Rajonal të Vlorës është vënë re një prani e theksuar e familjarëve nga të dyja palët e përfshira në konflikt, pasi sipas Policisë së Vlorës mes familjeve Rrapaj dhe Merkaj ka lidhje krushqie. Dy vëllezërit Merkaj janë martuar me dy kushërirat e viktimës dhe sipas policisë, kjo dyshohet të jetë edhe zanafilla e konfliktit.
Pas vrasjes së 22-vjeçarit, nëna, motrat dhe të afërm të tjerë kanë mbushur oborrin e spitalit me britma. “Më vranë dritën e syve”, dëgjoheshin thirrjet e nënës.
“Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje, ku ka konstatuar se në lagjen “Partizani” pranë rrugës së spitalit, për motive të dobëta është plagosur me mjet prerës shtetasi A.Rr., 22 vjeç, banues në Vlorë, i cili ndodhet në kirurgjinë e Spitalit Rajonal Vlorë nën kujdesin e mjekëve.
Policia ka bërë të mundur identifikimin e dy personave të tjerë të përfshirë në konflikt, dy vëllezërit K.M dhe N.M, ku njëri është arrestuar nga Policia, ndërsa tjetri në kërkim. Shtetasi K.M., është arrestuar nga Policia”, deklaroi Policia.
Kjo është vrasja e dytë brenda 24 orëve në qytetin e Vlorës, duke shtuar pasigurinë për qytetarët. Mbrëmjen e të dielës u vra në një atentat 32-vjeçari Refit Toro. Policia bëri të ditur se, vrasja ka ndodhur për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Toro u vra, ndërsa lëvizte me makinën e tij “Mitsubishi” me targë AA 606 ID në zonën e Skelës. Ai u dërgua me urgjencë drejt spitalit, por nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë. Autori dyshohet se ka qëlluar nga një tjetër automjet dhe më pas është larguar me shpejtësi.
Policia nuk gjeti asnjë gëzhojë në vendin ku mbrëmë rreth orës 18:00 u ekzekutua Refit Toro. 32-vjeçari u qëllua 4 herë, me 3 plumba në trup dhe 1 në qafë. Burime të policisë thonë se, vrasësi ka përdorur një pistolete me mulli për të mos lënë gjurmë. Dyshohet se mund të ketë qenë vrasës me pagesë dhe ka patur një bashkëpunëtor. Toro ka qenë në veturën e tij, një fuoristradë tip “Mitsubishi”, pranë zonës së Skelës, kur një makinë me dy persona i është afruar dhe kanë hapur zjarr në drejtim të tij.