Ballina Politikë Votimi elektronik zgjidhje për 5 rekomandimet e OSBE/ODIHR

Votimi elektronik zgjidhje për 5 rekomandimet e OSBE/ODIHR

Redin HAFIZI

Zgjedhjet e qershorit përveç qëllimit kryesor për garantimin e një qeverisje më të mirë për shqiptarët kanë edhe një mision tjetër, atë të kthimit të besimit të qytetarëve tek zgjedhjet. Vota është e vetmja armë në demokraci me të cilën qytetarët çmojnë apo përçmojnë një qeverisje. Ky është qëllimi nga i cili niset edhe Partia Demokratike dhe koalicioni i opozitës kur këmbëngul për votimin biometrik dhe numërimin elektronik. Evitimi në maksimum i mendjes njerëzore, që dihet është lehtësisht e korruptueshme dhe zëvendësimi me metoda më të avancuara që ofron teknologjia bashkëkohore do të sjellë qytetarët me më shumë besim pranë kutive të votimit.
Zgjedhjet në Shqipëri kanë qenë gjithnjë të kontestuara, madje zgjedhjet e vitit 2013 shënuan shkallën më të lartë të manipulimit dhe shkatërrimit të një procesi elektoral. Ndërkohë që vendosja për një proces zgjedhor elektronik do t’i çlironte zgjedhësit nga zgjedha e pushtetit të parasë dhe krimit.
Kur nga njëra anë shohim përpjekjet e PD dhe aleatëve të opozitës për të arritur një proces zgjedhor elektronik, nga ana tjetër shohim këmbënguljen e opozitës për të mos e realizuar një gjë të tillë, pasi kërkojnë që edhe në këto zgjedhje të shkojnë me bandat e grabitjes së votës përmes prodhimit të kartave të identitetit, parasë dhe kërcënimeve të qytetarëve. Për fasadë pushteti përdor terma si studim fizibiliteti apo rekomandime të OSBE/ODIHR. Me terma të tillë propagandastikë kërkojnë të bombardojnë mendjet e shqiptarëve.
Institucionet ndërkombëtare gjithnjë flasin në parim, ndërkohë është në dorën e aktorëve të brendshëm politikë që të vendosin për rregullat e zbatimit në praktikë. Në rastin e procesit zgjedhor ODIHR ka dhënë pesë rekomandime në parim që plotësohen pikë për pikë sipas deputetit të Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, praktikisht me votimin biometrik dhe numërimin elektronik:
1. Depolitizim i komisioneve zgjedhore-Dihet që programi elektronik dhe makina elektronike janë të depolitizuara;
2. Depolitizim i numëruesve- Programi elektronik dhe makina elektronike e numërimit dihet që janë të depolitizuara;
3. Ndalim i votimit familjar, votimit të përsëritur, votimit me kartë identiteti të falsifikuar, votimit në emër të dikujt tjetër që nuk është- Identifikimi elektronik përmes shenjës së gishtit nuk lejon votimin e një pjesëtari të familjes për të gjithë fisin;
4. Vota e blerë dhe e identifikuar me shenjë- Vota elektronike nuk identifikohet dot “me shenjë”, kësisoj nuk “I paguhet prurësit më të parë”;
5. Shpejtësia e nxjerrjes së rezultatit- Makineria e numërimit elektronik nuk lodhet, nuk ndikohet, nuk blihet e as nuk shitet. Makina nuk mund të kërcënohet me vendin e punës së bashkëshortit apo bashkëshortes, vëllait, motrës, djalit, vajzës, nuses, dhëndrit apo me korrjen e hashashit. Përfundimisht nuk ka “taulant”, “sajmir”, “frrok”, “bush” apo “prengë” që të mund të ndikojë. Makina nuk jep as kohë dhe as mundësi për të fabrikuar sërish një milion vota që nuk i kanë patur kurrë.
Megjithatë edhe pse është e thjeshtë dhe e dukshme se votimi elektronik zgjidh një sërë problemesh që kanë të bëjnë me manipulimin e zgjedhjeve, socialistët kërkojnë të fshihen pas gishtit. Vetëm pak ditë më parë nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, kërkonte që përmes termave teknikë si studim fizibiliteti apo vënien në dyshim të ekzistencës së votimit biometrik në vende të tjera të globit, të kundërshtonte idenë e procesit elektronik. Dihet që ky lloj studimi nuk ha kohë, pasi infrastuktura është e gatshme në momentin që në Shqipëri dolën pasaportat biometrike, plus dihet numri dhe vendndodhja e qendrave të votimit. Pra, mbetet thjesht çlirimi i fondeve dhe shpërndarja e pajisjeve elektronike që do të përdoren për votim dhe numërim.
Meqë kanë kaluar skandal pas skandali dhe janë zhytur deri në grykë në hajdutllëqet e përditshme, mazhoranca e Edi Ramës e ka humbur totalisht besimin e elektoratit, ndaj kanë frikë nga një proces i drejtë dhe korrekt në zgjedhjet e qershorit. Rama ka nisur që tani të angazhojë gjithë aparatin e tij për të vjedhur sërish votat, ndërkohë që opozita është e vendosur në garantimin e një procesi të drejtë dhe demokratik, që arrihet vetëm përmes votimit elektronik. Është ky lloj votimi që garanton edhe zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it.
Është në nderin e mazhorancës që të pranojë kërkesat e opozitës, ndërkohë që është detyrë e opozitës që të kthejë integritetin e zgjedhjeve dhe besimin e shqiptarëve në procesin zgjedhor. Është fakt se gjithë kombet vërtet të pavarur po i kthejnë sytë gjithnjë e më tepër tek sistemi biometrik i votimit për të ndihmuar dhe mbështetur zgjedhje të drejta dhe të besueshme larg manipulimit dhe praktikave të jashtëligjshme që sigurojnë dhe mbrojnë parimet demokratike.
Kthimi i integritetit në procesin zgjedhor është guri i themelit për një demokraci moderne, e cila promovon besim dhe ndershmëri për qeveritë e zgjedhura, si dhe konfidencë për liderët e zgjedhur. Po të kërkojmë do të shohim se jo vetëm vende që kanë patur probleme në të shkuarën në proceset elektorale si Brazili e Nigeria, por edhe vende me demokraci të zhvilluar si SHBA praktikojnë proces zgjedhor elektronik.
Lista e vendeve që praktikojnë një proces të tillë është e gjatë ndaj z. Balla përpara se të bëjë pyetjen le ta gjejë vetë përgjigjen në internet. Nga praktika ndërkombëtare si rezultat i aplikimit të votimit biometrik në vende si Kenia dhe Ghana, kemi parë se qeveritë janë të interesuara që të realizojnë një regjistrim të shpejtë, ekzakt dhe të besueshëm të votuesve në qendrat e votimit nën çdo kondicion që ndihmon për të ruajtur integritetin dhe besueshmërinë e procesit elektoral dhe minimizon mosbesimin dhe parregullsitë.
Imagjinoni gjithë këto vlera të arritura vetëm nga procesi i votimit biometrik dhe numërimi elektronik në këto dy vende të zhvilluara të kontinentit afrikan, ndërkohë që Shqipëria synon të marrë ftesën për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe ka një mazhorancë që kundërshton këto dy elementë kyç që garantojnë integritetin e zgjedhjeve.

Exit mobile version