Shpërthen Pogba!

Zemra nuk komandohet. Edhe kur në valle janë dhjetëra miliona euro më shumë. Kështu të paktën e mendon Pol Pogba, i cili tregon sesi u maturua zgjedhja e tij për t’u rikthyer te Mançester Junajtid në verë. “Mund të kisha firmosur për Barcelonën apo Realin, por erdha në Mançester, sepse ishte çështje zemre. Dua të fitoj diçka me këtë fanellë”, zotohet francezi gjatë një interviste për “SFR Sport”. “Unë nuk mendoj për paratë. Kam ardhur këtu për të luajtur futboll”.
Deklarata e dashurisë së Pogbasë nuk ndalet këtu: futbollisti më i shtrenjtë i historisë shpreh mirënjohjen e tij për “djajtë e kuq”. “Kam thënë gjithnjë se do të rikthehem. Ky është një klub që e dua shumë dhe falë Junajtid karriera ime shkoi përpara”, shpjegon mesfushori francez. “Kam ardhur këtu, sepse kam objektiva të papërfunduara: është një sfidë e madhe për mua”. Kush e di deri kur, sepse edhe Mino Raiola duhet të jetë dakord me të për të vendosur zemrën përpara parave.
Në lidhje me marrëdhëniet me Murinjon, 23-vjeçari thotë: “Është një trajner që më ndihmon shumë, mund të më përmirësojë akoma. Ka shumë përvojë. I dëgjoj gjithnjë këshillat e tij. Falë tij do të bëj shumë rrugë. Roli? Më lë shumë të lirë, si kur bëhet fjalë për të sulmuar, ashtu edhe për të mbrojtur. Kjo nuk do të thotë se nuk kemi detyra. Thjesht ai na lë të lirë për të shprehur cilësitë tona”.
Nuk mungojnë fjalët e ëmbla edhe për Zlatan Ibrahimoviçin: “Është një fenomen, një lider. I pëlqen të na japë këshilla, është gjithnjë në mbështetjen tonë. Është më i vjetri i grupit, ka shumë përvojë, është ai që ka luajtur me lojtarë të mëdhenj në klube të mëdha. Ka karizëm, personalitet të madh dhe nxjerr gjithnjë diçka nga vetja. Ajo që bën në moshën e tij është e shkëlqyer. Dhe do vazhdojë ta bëjë, sepse është në formë fantastike dhe është një futbollist që nuk dëmtohet shpesh. Dëshiron të shohë përpara dhe na jep shumë këshilla”.
Pogba u kritikua shumë për ndeshjen e tij kundër Liverpulit pas penalltisë që shkaktoi dhe një rasti të pastër që humbi për të shënuar. Por si përgjigjet njeriu që ka shënuar 6 gola në 28 ndeshjet e këtij sezoni: “Pas rikthimit tim në Mançester, njerëzit duan që unë të shënoj, të bëj diferencën në ndeshje, sepse thonë se me atë çmim detyra e një lojtari është të shënojë dhe dhurojë asiste. Roli im si mesfushor nuk është të shënoj. Unë mund të bëj diferencën në ndeshje, por duhet të punoj shumë si në mbrojtje, ashtu edhe në diktimin e lojës. Unë mund ta bëj diferencën edhe duke rifituar topin dhe në lojën në skuadër. Duhet të punoj më tepër për skuadrën sesa për vete”.