Rajoni me 2-3 aeroporte, Shqipëria me një

Gjatë viteve të fundit vendet e Ballkanit Perëndimor kanë njohur zhvillim sa i përket transportit ajror të pasagjerëve.
Serbia është i vetmi vend që ka fluturime direkte drejt shteteve të tjera të rajonit. Ekspertët kërkojnë që në këtë aspekt këto vende, përshirë këtu edhe Shqipërinë duhet të bëjnë më shumë.
Mate Gjorgjievski, ekspert i SEETO Transport Policy and Law (Observatori i Transportit për Europën Juglindore) në një studim të realizuar në fund të vitit të kaluar analizon arritjen e rajonit të Ballkanit në transportin ajror të pasagjerëve, në kuadër të planit të zhvillimit katërvjeçar të SEETO-s.
Sipas analizës që nga viti 2004 është investuar në rrjetin bazë të SEETO 12.2 miliardë euro, ku pjesa më e madhe kanë qenë në sektorin ajror me rreth 436 mln euro. Duke u ndjekur nga portet me 1076 milionë euro.
Studimi thekson se në rajonin e Ballkanit, trafiku ajror i pasagjerëve është rritur me shpejtësi duke u nisur nga një bazë e ulët, rreth 15 milionë pasagjerë mesatarisht në vit.
Numri i pasagjerëve mes BE-së dhe vendeve të BP është pothuajse trefishuar, numri i kompanive të fluturimit është rritur me rreth 60%, ndërsa destinacionet direkte pothuajse janë dyfishuar.
Aeroporti i Tiranës, që nga viti 2012 ka njohur rritje të numri të pasagjerëve (shifra i referohet periudhës deri më 2015-ën) duke u renditur i treti e duke lënë pas aeroporte si ai i Splitit, Dubrovnikut etj. Por, ndërsa vendet e rajonit përfaqësohen me dy apo tri aeroporte vendi ynë ka vetëm një të tillë.
Gjashtë janë elementët kryesorë të këtij transporti sa i përket këtij rajoni:
Pjesa më e madhe e trafikut është ndërkombëtar;
2/3-at e trafikut ajror në BP realizohet me Europën Perëndimore, ku dallojnë Shqipëria me 87% dhe Bosnja 69%;
Pjesa më e madhe e konsumatorëve janë emigrantët;
Biznesi i udhëtimit është i vogël, po ka potencial, në vendet që mund të përmirësojnë infrastrukturën;
Asnjë nga kryeqytetet e BP, përveç Beogradit nuk është i lidhur me vendet e reja të rajonit;
Air Serbia është një nga lojtarët më kryesore në ndërlidhjen rajonale.
Sipas ekspertëve të SEETO-s, vendet e rajonit duhet të përmirësojnë infrastrukturën e transportit, të harmonizojnë legjislacionin me atë të BE-së, të marrin masa për reduktimin e energjisë për njësi transportuese, si dhe të bëjnë të mundur që të lidhen me shërbim ajror mes tyre.