Ministri i Brendshëm i Kosovës parashikon tensione të reja

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, tha të martën se një periudhë prej tre-katër muajsh të ardhshëm “do të jenë të ndjeshëm dhe mund të prodhojnë situata të palakmueshme”.
Duke folur në Komisionin parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ministri Hyseni, e cilësoi si provokim të rëndë trenin, i cili ditën e shtunë u nis nga Beogradi për në Mitrovicë të Veriut.
Ministri Hyseni tha se, “operacioni policor për ndalimin e trenit ishte përgatitur më herët dhe nuk është vepruar ad-hoc, ashtu siç është paraqitur”.
“Ky është një provokim i radhës që vjen në kontekst të zhvillimeve shumë më të gjëra se sa raporteve Kosovë–Serbi. Në kontekstin global. Mos të harrojmë se kemi një gjendje të kalimit të pushteteve dhe të gjitha këto mund të kenë krijuar një ambient sipas politikës serbe të përshtatshme, që të provokohet ndonjë incident i përmasave të mëdha në Kosovë në mënyrë që Serbia të fitojë një alibi të qëndrueshme. Unë mendoj se me veprimet tona kemi bërë që Serbisë mos t’i jepet ajo alibi”, ka thënë Hyseni.
Treni që u nis nga Beogradi drejt Mitrovicës së Veriut, iu ndalua hyrja nga autoritetet në Kosovë që e cilësuan si “provokim dhe përpjekje për shkelje të sovranitetit të vendit”.
Autoritetet në Beograd ndërkaq thanë se, “e ndaluan trenin” për të mos lejuar, siç thanë, “gjakderdhjen” duke akuzuar “institucionet e Kosovës për siç thanë, lojë luftërash”.
Operacionin e policisë për ndalimin e trenit e përkrahën ndërkaq edhe anëtarët e komisionit parlamentar nga radhët e opozitës.
Rexhep Selimi, anëtar i këtij Komisioni nga Lëvizja “Vetëvendosje”, ka thënë se përkrah çdo veprim të policisë që është në mbrojtje të sovranitetit të vendit. Megjithatë, ai ka kërkuar nga ministri që të informojë se a ka leje dhe licencë një tren tjetër që qarkullon nga Kraleva në Mitrovicën e Veriut.