Eksportet e Maqedonisë tre herë më të larta se të Shqipërisë

Gjatë vitit 2016, kompanitë shqiptare shitën jashtë vendit 243.5 miliardë lekë (rreth 1.8 miliardë euro) mallra, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT. Në raport me vitin e kaluar, eksportet kanë shënuar një rritje të papërfillshme prej vetëm 0.1%, duke shënuar vitin e dytë radhazi me një performancë të dobët. Gjithsesi, pas një gjysme të parë të vitit me tkurrje, që arriti deri në -8%, pjesa tjetër e vitit ishte më pozitive, duke rikuperuar këtë humbje. Sektori që mbajti në këmbë eksportet tona ishte ai i “tekstile dhe këpucë”.
Grupi me performancën më të mirë ishte ai i “Tekstile dhe këpucë”, që punon kryesisht me material porositësi. Eksportet e tij arritën në rreth 107 miliardë lekë, me një rritje me bazë vjetore prej 18%. Ka qenë performanca e mirë e këtij grupi, që ka mbajtur eksportet në këmbë përgjatë gjithë vitit. Eksportuesit pohojnë se ka një rritje të kërkesës nga partnerët e huaj, kryesisht ata italianë, teksa dhe kompanitë shqiptare kanë ecur mirë, sidomos ato të këpucëve, në drejtim të mbylljes së ciklit dhe rritjes së vlerës së shtuar.
Eksportet e “minerale, lëndë djegëse energji” ranë me 28% me bazë vjetore në 47 miliardë lekë. Ky grup u godit në gjysmën e parë të vitit nga konjuktura e pafavorshme ndërkombëtare e çmimeve, sidomos nafta, ndërsa e mori veten pak më vonë. Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh në vend raportoi rritje të shitjeve në dy muajt e fundit të vitit.
Shitjet e “materiale ndërtimi e metale” ranë me rreth 10% në 32 miliardë lekë. Kërkesa për faliment për arsye risktrukturimi e “Kurum” në shkurt 2016 ishte arsyeja kryesore që ndikoi në këtë performancë negative. Edhe ky grup e mori veten në pjesën e dytë të vitit, sidomos në dhjetor eksportet u rritën me 64%. Një pjesë e aktivitetit të “Kurum” i ka kaluar kompanisë “Albametal”.
Eksportet e “pije, ushqime e duhan” shënuan ecurinë e dytë më të mirë pas “tekstile e këpucë”, me një zgjerim vjetor prej gati 20%, për të arritur në 25.3 miliardë lekë.
Grupet e tjera kanë shënuar një ecuri të dobët dhe mbeten relativisht të ulëta. Dy grupe “makineri dhe pjesë këmbimi” dhe “prodhime druri dhe letre”, që dy vite më parë morën hov kanë pasur ecuri modeste.

Sa pak diversifikim

Vitet e fundit janë bërë hapa prapa përsa i përket diversifikimit të eksporteve. Pesha e grupit “tekstile dhe këpucë” ka arritur në gati gjysmën e totalit, në 44%, nga 37% që ishte një vit më parë. Përveçse, eksportet e këtij grupi, pavarësisht zhvillimeve pozitive, janë kryesisht me vlerë të ulët të shtuar, ato e lënë vendin të varur ndaj goditjeve që mund të vijnë nga shteti fqinj Italia. Industria tekstile e këpucë punon kryesisht me material porositësi për kompanitë e shtetit fqinjë dhe ka si avantazh kryesor konkurrues krahun e lirë të fuqisë punëtore.
Grupi i dytë më i madh është ai i “lëndë djegëse dhe energji” me 19% të totalit nga 27% një vit më parë. Edhe ky grup ka si bazë shitjen e lëndës së parë të papërpunuar, kryesisht naftë bruto dhe është shumë i varur nga luhatjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Në total 63% e eksporteve shqiptare kanë si avantazh kryesor konkurrues krahun e lirë të fuqisë punëtore dhe shitjen e lëndës së parë natyrore, kryesisht bruto, të papërpunuar.
Pas këtyre dy grupeve, renditen “materiale ndërtimi e metale”, me 13% të totalit dhe “ushqime e duhan” me 10% të totalit.
Për krahasim në Maqedoni, eksportet janë shumë më të diversifikuara dhe specializuara. Produktet kryesore të eksportuara janë katalizatorët (rreth 1.2 miliardë dollarë apo sa gati 60% e gjithë eksporteve shqiptare), centrifugat ($425M), xeherorët ($383M), fije dhe kabull elektrik ($255M) veshje për femra ($194M), sipas burimeve zyrtare. Në total eksportet e Maqedonisë janë rreth 5.2 miliardë euro apo gati trefishi i atyre shqiptare.

Cikli i krizës së eksporteve

Treguesit zyrtarë për ecurinë e ekonomisë po vijnë paradoksale, teksa shihet se bizneset kanë rritur pritshmëritë për prodhimin me mbi 33 pikë përqindje, por nga ana tjetër kanë pohuar një rënie drastike të kontratave të porosive si për tregun e brendshëm ashtu edhe në eksporte.
Në vrojtimin e fundit të indeksit të besimit, bizneset presin një rritje domethënëse të pritshmërive të prodhimit në tremujorin e parë, por nga ana tjetër pohuan se kontratat e porosive në eksport kanë rënë me 6.6 pikë përqindje në tremujorin e katërt të 2016, ku për të njëjtën periudhë kanë pohuar një rritje të prodhimit me 7.9 pikë përqindje.
Kontratat e porosive që janë treguesi më i hershëm i ecurisë së eksporteve, kanë pësuar rënie për të tretin tremujor radhazi në tetor-dhjetor 2016. Kjo rënie i dedikohet sektorit të industrisë ku përfshihet nxjerrja e naftës, fasoni dhe agropërpunimi.
Për shkak të kushteve jo shumë të favorshme të krijuara nga kursi i këmbimit, ulja e konkurrueshmërisë dhe çmimet jo të favorshme në tregjet ndërkombëtare i kanë bërë eksportet shqiptare të naftës dhe agropërpunimit më të dobëta, teksa shihet një ecuri më pozitive me rritje gati me 20 për qind e eksporteve nga fasoni.
Rënie të kontratave të porosive ka pohuar edhe sektori i ndërtimit. Balanca vijon të jetë negative me -38 pikë përqindje. Rritja e çmimeve, nga njëra anë dhe mungesa e burimeve të financimit nga ana tjetër i ka bërë të brishta kontratat e porosive edhe në ndërtim.
Edhe pse treguesi i besimit në ekonomi u përmirësua në tremujorin e fundit 2016, bizneset kanë raportuar rënie të fortë të porosive të reja në të gjithë sektorët e ekonomisë, duke lajmëruar kështu se dobësitë në konsum do të vijojnë edhe në periudhë afatmesme.